RTSH Sport Live

Historike! Skënderbeu, kampion i Shqipërisë

  • 07/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Historike! Skënderbeu, kampion i Shqipërisë
36 vjet pritje, rrjeta korçare rikthehet në majë me ekipin e femrave

36 vjet pritje dhe Skënderbeu rikthehet kampion i Shqipërisë në volejboll për femra. Gjithçka ka ndodhur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, teksa në finalen e katërt për titull kampion, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Skënderbeu ka mundur Tiranën, 3-1. 25-19 seti i parë për Skënderbeun.

25-23 seti i dytë për korçaret dhe atëherë kur u duk se gjithçka po shkonte drejt një fitore 3-0, Tirana reagon dhe fiton setin e tretë në pikët shtesë, 26-24. Skënderbeu nuk lëshon më. Fiton setin e katërt 25-23 dhe festa është e gjitha për korçarët.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi dhe zëvendëspresidentin Dashamir Brari kanë shpërndarë medaljet për Tiranën nënkampione dhe Skënderbeun kampion dhe më pas edhe kupën për kapitenen korçare, Eleni Bego.

Një sezon i përfunduar, por që tashmë është përpara një verë e nxehtë me ekipet kombëtare.

Kështu me Skënderbeun për femra dhe Tiranën për meshkuj, rrjeta shqiptare ul siparin e aktiviteteve për sezonin 2021-2022.