RTSH Sport Live

Honda, me ndryshime në Australi

  • 14/10/2022
  • |
  • Moto GP
Honda, me ndryshime në Australi
Motori i Marquez me pjesë të reja në aerodinamikë dhe panelin kryesor

Testet për Çmimin e Madh të Australisë në MotoGP GP për Hondën kanë qenë tepër dinamike. Sidomos për Marc Márquez, motori i të cilit ka pësuar ndryshime në aerodinamikë, në panel, si përpara ashtu edhe mbrapa. Piloti spanjoll ishte ankuar më parë se nuk arrinte të kontrollonte motorin e tij Honda, pasi pjesa e përparme e tij ishte më e rëndë.

Ai sëbashku me inxhinierët dhe teknikët e skuadrës japoneze janë përjekur ta zgjidhin atë problem, duke punuar me shasinë, me të gjitha gjërat, por një nga më të rëndësishmet është aerodinamika. Këto ndryshime Marquez i ka testuar në pistën e Phillip Island. “Kam provuar motorin me pjesët dhe ndryshimet e reja – ka thënë Marc. - Është shumë e vështirë të bësh një gjë të tillë në një fundjavë gare, por mund tju them se kam ndjerë gjëra pozitive, që është gjëja më e rëndësishme. Motor i ri më kërkon më pak impenjim fizik, që për mua është i rëndësishëm në këtë fazë rikuperimi të përgjithshëm të trupit tim pas operimit”.

Ai ndjehet i kënaqur jo vetëm me motorin por edhe me veten. “Në krahasim me Tajlandën vërej se gjendja ime fizike është më e mirë. Jam aktiv gjatë gjithë fundjavës e kjo do të thotë se ndihem mirë dhe dal në pistë e jap gjithçka. Shpresoj të mbaj të njëjtin nivel dhe kjo është strategjia që do të ndjek deri në fund të sezonit”. Megjithatë Marquez thekson se testi vendimtar me ndryshimet e motorit do të jetë në Malajzi.