RTSH Sport Live

Humbi Serinë A për shkak të… flokëve

  • 21/02/2022
  • |
  • Gosip
Humbi Serinë A për shkak të… flokëve
Futbollisti i përfaqësueses së Kamerunit, Asu-Ekoto, rrëfen historinë e rrallë

Ish-mbrojtësi i majtë i Totenhemit, Benua Asu-Ekoto, ka zbuluar se ai kishte humbur mundësinë për të luajtur në Itali, në Serinë A, për shkak të flokëve të tij. 37-vjeçari, që tashmë është tërhequr nga futbolli, e kaloi shumicën e karrierës së tij në Premier Ligën Angleze me Totenhemin, nga 2006-ta, deri në 2015-ën, ndërsa pati edhe një periudhë huazimi edhe tek QPR-ja. Në 2015-ën, ai u rikthye në vendin e tij të lindjes, duke luajtur në Ligën 1 të Francës për St. Etienën dhe Metzin, përpara se të tërhiqej nga futbollit.

Asu-Ekoto, i cili ka spikatur për eksperimentet e tij me stilin e flokëve, sidomos atë afrikan, ka zbuluar se ishte pranë nisjes së një aventure në Itali, por kjo dështoi për shkak të pamjes së tij të jashtme. Madje ai theksoi se ky refuzim e kishte vënë në mëdyshje për karrierën e tij, gjatë së cilës ai luajti 155 ndeshje në nivelin më të lartë të futbollit anglez dhe 117 ndeshje në atë francez. “Pata biseduar me një klub italian, një klub idiot italian, - kujton Asu-Ekoto. - Ata më thanë “Shiko, ne na pëlqen ti, por do të ishte e vështirë për ne t’u shpjegonim tifozëve që po blejmë një lojtar me një model flokësh si i yti”.

Jam me të vërtetë kureshtar se si do të kishte shkuar karriera ime nëse nuk kam patur këtë stil ekstravagant flokësh. Mbase disa klube nuk duan të blejnë një futbollist që luan për para. Por, të gjithë në futboll luajnë për paratë dhe drejtuesit e klubeve duan gjithashtu të fitojnë para.” Futbollisti i lindur në Francë zgjodhi të luante për Kamerunin në arenën ndërkombëtare, duke luajtur 24 ndeshje për “Luanët e pamposhtur”, përpara se sa mbyllte me përfaqësuesen afrikane pas Botërorit të 2014-ës në Brazil.