Disfata e hidhur e Prishtinës në ndeshjen debutuese të eleminatoreve, nuk ka lënë një shije të mirë në Kosovë ku mediat janë mjaftuar me raportim të thjeshtë ndërsa në Serbi nuk kanë munguar me tituj provokues. Fitorja e Suedisë konsiderohet normale, ndërsa një hapësirë të madhe ka zënë edhe Zlatan Ibrahimoviç me lojën apo sjelljen e tij në fushë.
Televizioni publik, RTK Kosova, kthen faqe dhe përqëndrohet te dueli i radhës kundër Spanjës, duke sjellë në vëmendje deklaratën e trajnerit të Spanjës, Luis Enrique, i cili duket i shqetësuar me ekipin e tij përpara përballjes me Kosovën në datën 31 Mars.
“Bota Sot” e shikon me optimizëm të ardhmen e “Dardanëve” teksa propozon një intervistë interesante të ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana, sipas të cilit, skuadrës i nevojitet eksperienca për të konkurrruar në nivele të tilla.
“Telegrafi.com” përqëndrohet te deklarata e kryeministrit Albin Kurti i cili ishte i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”. Sipas kreut të ekzekutivit të cituar nga ky portal, Kosova zhvilloi një ndeshje pozitive që nuk pasqyron rezultatin në fund të 90 minutëshit.
“Indeksionline” merr përsipër të analizojë formën e protagonistëve në fushën e lojës duke vlerësuar me notën më të dobët Samir Ujkanin ndërsa në kampin kundërshtar vlerëson Zlatan Ibrahimoviç.
Përtej kufijve të Kosovës, në Beograd, e përditshmja “Kurir” zgjedh titullin provokues “futbollistët suedezë mundën të ashtuquajturën Kosovë” duke vijuar në linjën e shkrimeve kundër linjës së njohjes së pavarësisë territoriale të vendit fqinjë.