RTSH Sport Live

Hungari-Shqipëri luhet pa tifozë

  • 21/09/2021
  • |
  • Kombëtarja
Hungari-Shqipëri luhet pa tifozë
FIFA ndëshkon vendasit incidentet raciste ndaj Anglisë, më 9 tetor, me dyer të mbyllura

Kombëtarja kuqezi ka marrë një lajm të mirë të martën pasdite, teksa është mësuar se ndeshjen në fushë të huaj ndaj Hungarisë do ta luajë me dyer të mbyllura. Kjo për arsye se Hungaria duhet t’i luajë dy ndeshjet e radhës në shtëpi në kuadër të Eliminatoreve  të Botërorit “Katar 2022” pa tifozë, ndërsa është ndëshkuar edhe me një gjobë prej 200,000 frangash zvicerane (afro 184,000 Euro), për abuzimin racor që u bë nga tifozët vendas në drejtim  të lojtarëve të përfaqësueses angleze në ndeshjen e luajtur në fillim të këtij muaji në Budapest.

FIFA e mori këtë vendim pasi një pjesë e tifozëve hungarezë fyen publikisht lojtarët me ngjyrë të Anglisë, Rahim Stërling dhe Xhjud Bellingamin, me thirrjet “majmun” gjatë fitores 4-0 që Anglia arriti në ndeshjen eliminatore të 2 shtatorit. Ndërkaq, për ndeshjen e dytë, vendimi do të jetë i kushtëzuar nga sjellja e tifozëve përgjatë dy viteve të ardhshme. Në fakt, në korrik, Hungaria u ndëshkua nga UEFA për t’i luajtur 3 ndeshjet e radhës në shtëpi pa tifozë, për shkak të incidenteve të racizmit dhe homofobisë gjatë “Euro 2020”, dhe këto masa do të hyjnë në fuqi në ndeshjet e Ligës së Kombeve të Evropës vitin që vjen.

Siç dihet, ndeshja e radhës e Hungarisë në shtëpi është ajo e 9 tetorit 2021 kundër Shqipërisë, një përballje që mund të vendosë shumëçka sa i përket fatit të vendit të dytë në Grupin I të Eliminatoreve. Pas 6 ndeshjeve të para, Anglia kryeson me 16 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 12, Polonia me 11 dhe Hungaria me 10. Kuqezinjtë janë mundur 1-4 përballë Polonisë në takimin e parë, por kanë fituar 1-0 ndaj Hungarisë dhe ndeshja e 9 tetorit në kryeqytetin hungarez është vendimtare sa u përket gjasave për të siguruar vendin e dytë në grup, që të çon në “play-off”.

 Dhe, fakti që nuk do të kenë mbështetjen e tifozëve të tyre, mund t’i ndëshkojë hungarezët, që, edhe me një barazim përballë Shqipërisë, i thonë lamtumirë shpresave të tyre për kualifikim.