RTSH Sport Live

Hysa-Uilliams, kryesfida e “Titans Fights 3”.

  • 12/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Hysa-Uilliams, kryesfida e “Titans Fights 3”.
Paratë e mbledhura nga aktiviteti do të shkojnë për bamirësi në Durrës

“Titans Fights 3” tashmë është gati, ndërsa ndeshja më pikante e mbrëmjes të së dielës në Durrës do të jetë ajo mes Nelson Hysën, që është 22 herë kampion i Shqipërisë, dhe Dani Uilliams, dy herë kampion i Anglisë. Në konferencë për shtyp një ditë përpara evenimentit, Nelson Hysa ka treguar se është përgatitur fort për këtë sfidë.

“Shpresoj – thotë Nelson Hysa – t’i bjerë optimizmi nga fundi. Jemi përgatitur për një ndeshje të fortë dhe për mënyrën se si do të boksojmë. Jemi në vendin tonë dhe shpresojmë të fitojmë”.

Dani Uilliams, që nxorri në pension një legjendë si Majk Tajson, është shprehur se eksperiencën e tij në arenën ndërkombëtare do ta vërë në dispozicio të duelit me Nelson Hysën, kuptohet për ta fituar atë.

“E kam studiuar kundërshtarin. Është një boksier i fortë. Mezi po pres të ndeshem dhe të fitoj”, nënvizon anglezi Uilliams.

Frederik Shoshi, organizatori i këtij eventi, bëri të ditur se paratë e mbledhura nga ky aktivitet do të shkojnë për bamirësi.

“Që në fillesë e kemi patur për qëllim bamirësinë nëpërmjet Titans Fights. Por tanimë që erdhi në edicionin e tretë, ky aktivitet të gjitha të ardhurat do t’i çojë për Shtëpinë e Fëmijës në Durrës”, thotë Shoshi.

Për Halim Abazi ndeshja Hysa – Uilliams është e veçantë pasi boksierë të këtij niveli nuk kanë ardhur kurrë në Shqipëri.

Nelsonin kemi katër ndeshje që e ndjekim. Për momentin është boksieri më i mirë në Shqipëri dhe shpresojmë që t’ia dalë ndaj anglezit Uilliams”.

 “Titans Fights 3” do të nisë të dielën në ora 18:00, ndërsa përveç ndeshjeve të boksit do të ketë edhe elementë të spektaklit me këngëtarë të njohur të vendit tonë.