RTSH Sport Live

Hysaj dhe Strakosha, në turin e 16-shes

  • 26/11/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Hysaj dhe Strakosha, në turin e 16-shes
Lacio siguron kualifikimin për më tej në Ligën e Evropës, fiton 3-0 në Moskë ndaj Lokomotivës

Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës ka luajtur të enjten të gjitha ndeshjet e 5-ta të 8 grupeve të saj dhe dy futbollistët kuqezi, Tomas Strakosha dhe Elseid Hysaj, e kanë siguruar që tani vendin në turin tjetër, atë të 16-shes. Skuadra e dy futbollistëve të Kombëtares, Lacio, ka fituar 3-0 në Moskë ndaj Lokomotivës vendase, duke siguruar edhe matematikisht vendin e dytë në renditjen e grupit, pavarësisht asaj që do të ndodhë në ndeshjet e fundit.

Pjesa e parë e përballjes së luajtur në kryeqytetin rus është mbyllur me rrjeta të paprekura, por kanë qenë dy 11-metërsh të shndërruar në gol brenda 7 minutash, në të 56-tën dhe në të 63-të nga Imobile, që i kanë hapur rrugën e fitores Lacios, që e vulos atë 3 minuta para fundit të kohës së rregullt me golin e Pedro Rodrigezit.

Si Strakosha, ashtu edhe Hysaj, kanë qenë titullarë dhe kanë luajtur gjatë gjithë ndeshjes në këtë fitore, që e ngjit Lacion në kuotën e 8 pikëve, 3 më pak se Gallatasaraji i vendit të parë, që mundi në Stamboll Olimpikun e Marsejës, me francezët që mbeten në vendin e 3-të, me vetëm 4 pikë.

Një arritje për t’u vlerësuar ky kualifikim për dyshen e futbollistëve të Kombëtares kuqezi, ndërsa në takimin e luajtur të enjten në mbrëmje është aktivizuar edhe futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Veda Murriqi.