Milani ka arritur të marrë një fitore 3-1 në fushën e Parmës, në javën e 30të të Serisë A, duke shkuar në -8 nga Interi I vendit të parë. Kuqezinjtë zhbllokuan sfidën pas tetë minutash lojë me Rebic dhe gjetën dyfishimin në minutën e 44-të falë Kessie. Në fillim të pjesës së dytë skuadra e trajnerit Pioli u godit nga dëbimi i Ibras për protesta, ndjekur më pas nga goli i Gagliolo (66 '), por në minutën e 94 goli i Leao arrin me një kundërsulm që mbylli ndeshjen.
Pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli ka deklaruar: “Më pëlqeu mënyra se si reaguan djemtë në këtë sfidë, pas ndeshjes me Sampdorian na duhej një reagim. E vështirësuam lojën, por ishte e rëndësishme të fitonim”.
“Ibra? Sapo bisedova me Zlatan, më tha se debatoi me gjyqtarin dhe zgjati ca kohë. Ai më siguroi se nuk I ka munguar respekti dhe mbi të gjitha nuk e ka ofenduar".
Mundësia për Champions – “Unë kam thënë se kuota e 75 pikëve mund të jetë e duhura. Por ne po luajmë shanset Champions me skuadra të afta për të fituar 7-8 ndeshje nga 9. Nuk duhet të bëjmë llogari. Duke menduar për larg, nuk mund të përgatitesh mirë për ndeshjen e radhës”.