RTSH Sport Live

Inspektimi i UEFA-s, zbulohen hollësitë

  • 08/02/2022
  • |
  • Të tjera
Inspektimi i UEFA-s, zbulohen hollësitë
Pallati i Kongreseve, si qendër akreditimi, Aeroporti dhe infrastruktura, në fokus

Duke nisur nga pasditja e të hënës e deri në mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë ka zbarkuar një vizitë inspektuese një delegacion i madh i UEFA-s. Kjo vizitë është në kuadër të organizimit të finales së Konferencë Ligës, që do të luhet në kryeqytetin shqiptar më 25 maj 2022, dhe është stacioni i 3-të i inspektimit nga ana e organizmit që qeveris futbollin evropian.

UEFA ka dërguar në Shqipëri vazhdimisht përfaqësues të saj që nga nëntori i vitit të kaluar e në vazhdim për të kontrolluar të gjithë infrastrukturën aeroportuale, rrugore, hyrjet e daljet në qytet, hotelerinë, fushat ku do të stërviten ekipet finaliste, zonat ku do të grumbullohen tifozët e skuadrave si edhe përshtatja e stadiumit për finalen.

Burime të RTSH Sport pranë Federatës Shqiptare tpë Futbollit kanë sqaruar se të hënën, fokusi i delegacionit masiv, të përbërë nga 61 ekspertë dhe zyrtarë ka qenë Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Tiranës, i cili, përgjatë 10-ditëshit të fundit të majit të këtij viti, pritet të përballet me një fluks të jashtëzakonshëm fluturimesh dhe udhëtarësh. Delegacioni i UEFA-s është interesuar në hollësi për mundësitë që ekzistojnë për parkimin dhe transportin, por edhe çështjet e sigurisë.

Ndërkaq, të martën, delegacioni i organizmit kontinental të futbollit është zhvendosur në Tiranë, më konkretisht në Stadiumin  “Arena Kombëtare dhe në mjediset përreth. RTSH Sport ka mësuar se po inspektohet Pallati i Kongreseve, që do të përdoret gjatë asaj periudhe si qendër akreditimi, por edhe qendër e logjistikës operacionale për pritjen e një evenimenti kaq madhor të futbollit evropian.

Kjo zgjedhja ka të bëjë me prakticitetin që ofron të qenit e Pallatit të Kongreseve aq pranë Stadiumit, ndërsa të mërkurën do të shihet në terren edhe zona përreth “Arenës Kombëtare” sa i përket rrugëve që do të bllokohen në ditën e finales, zonave për tifozët, por edhe stolisjen e kryeqytetit me banera para finales së madhe.

Sigurisht, një vëmendje e madhe po i kushtohet Stadiumit “Arena Kombëtare” dhe punimeve që duhen bërë aty për ta përshtatur çdo detaj me kërkesat e UEFA-s, teksa një aspekt i rëndësishëm është krijimi i të gjithë kushteve për të plotësuar kriteret e transmetuesit televiziv të finales.

Në këtë vizitë do të diskutohet edhe për organizimin e afro 400 vullnetarëve që do të angazhohen për këtë eveniment madhor. Në mars do të ketë edhe një vizitë inspektuese të fundit e më pas do të nisë puna në terren për përgatitjen e finales.