Teuta nuk ia del as me kundërshtarin më të lehtë të mundshëm. Kampionët e shqipërisë marrin një shuplakë edhe nga modestët andorrianë të Inter D’Escalades në “Niko Dovana”, një disfatë që do ta mbajnë mend gjatë. 2 gola të pësuar në shtëpi, lojë apatike dhe kualifikimi i varur në fije të perit. Pa busull dhe ide, skuadra bregdetare e drejtuar nga Edi Martini që merr leksion futbolli nga një kundërshtar që u prezantua në Durrës me një skuadër gjysmëamatore e cila e dha shkëndijën e parë vetëm në minutën e 23-të.
Ndeshje e mallkuar për ‘Djemtë e detit” ku Vila, Kallaku apo Krasniqi nuk morën do masat e portës së andorrianevë që hapën dushin e ftohtë në minutën e 37-tw kur Sol De Vil shfrytëzoi kundërsulmin e Interit që në logo mban ngjyrat zikaltër por me atë të Milanos ka të përbashkët vetëm emrin. I njëjti protagonist flirtoi me golin vetëm pak minuta më vonë ndërsa në pjesën e dytë lodra e Martinit u shkatërrua edhe më keq.
Pa ide dhe asnjë pikë lidhëse në mesfushë, Teuta nuk arriti të tregonte muskujt asnjëherë madje Sol De Vila vallëzoi i qetë në zonën e vendasve duke zhvlerësuar një sezon të tërë plot sakrifica për ta transformuar në një ndeshje gati gati qesharake. Seferi nuk dha pothuajse asnjë sinjal shprese gjatë gjithë 90 minutëshit duke e kthyer në mankth aventurën europiane me durrsakët.
Një disfatë që mund të djegë shumë, madje mund të kompromentojë jo vetëm sezonin e ardhshëm të Teutës por mund të eklipsojë edhe titullin e dytë të arritur me aq shumë mund pas një viti të lodhshëm dhe shumë të luftuar. Në krahun tjetër, Inter D’Escalades është shumë pranë arritjes historike, raundit të dytë të një turneu europian, objektiv që as më optimisti nuk mund ta kishte llogaritur në kampin andorrian.