RTSH Sport Live

Interi, gati për City-n: e mbyll Serinë A me një fitore

  • 03/06/2023
  • |
  • Itali
Interi, gati për City-n: e mbyll Serinë A me një fitore
Një gol i Brozovic në pjesën e parë i jep skuadrës zikaltër tri pikët e ditës së fundit

Interi e mbylli kampionatin me fitoren 1-0 ndaj Torinos, mënyra më e mirë për të shkuar në takimin me histori të së shtunës së ardhshme, finalja e Champions League kundër Manchester Cityt, i cili fitoi sot FA Cup dhe në Stamboll ëndërron një tripletë historike. Ndeshja në Olimpico Grande Torino u vendos nga një gjuajtje me të majtën nga skaji i zonës nga Brozovic, i cili befasoi Milinkoviç-Savic në minutën e 37-të. Në pjesën e dytë Handanovic (ndaj Karamoh) dhe Cordaz (mrekulli ndaj Sanabria) ruajnë rezultatin, ndërsa shtylla e jashtme i mohon Dzekos një dopietë (80'). Për Toron, vendi i tetë dhe shpresat evropiane zhduken.

Interi e mbyll kështu kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme me një fitore ndaj Torinos, e cila i lejon zikaltërit të arrijnë në 72 pikë në renditje. Një kampionat me ulje-ngritje për bandën e Inzaghi-t, që tashmë është në pritje të momentit më magjepsës dhe më të vështirë, finalen e Champions League ndaj Manchester Cityt.

Inzaghi pati edhe një herë përgjigje të mira nga dy lojtarët që kanë munguar më së shumti këtë sezon, Lukaku dhe Brozovic: belgu nuk gjeti rrugën për të shënuar, por konfirmoi ecurinë e madhe të javëve të fundit.

Një paraqitje pozitive që ngjall dyshime të reja te Inzaghi, i cili do të duhet të zgjedhë mes tij dhe Dzekos si partneri i Lautaros në Stamboll. Kroati me shumë mundësi do të fitojë balotazhin me Mkhitaryan. Me rikuperimin e mundshëm të Dimarco-s, skuadra për të shtunën e ardhshme praktikisht ka përfunduar.