RTSH Sport Live

Islam Dudaev, pa medalje nga Konia

  • 12/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Islam Dudaev, pa medalje nga Konia
Mundësi penalizohet nga gjyqtarët, Shqipëria mbetet me të argjendtën e Abakarov

Shqipëria nuk ka mundur të realizojë ëndrrën e saj për një medalje të dytë në Lojërat e Solidaritetit Islamik, që janë duke u zhvilluar në Konia. Pas medaljes së argjendtë në mundjen e lirë të Zelimkan Abakarovit shpresat ishin të mëdha për një të tillë edhe nga Islam Dudaev. Madje janë rritur mundësitë kur Dudaev ka fituar ndeshjen e parë. Por, edhe sipas informacionit që vjen nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Dudaev është penalizuar nga vendimet e gjyqtarisë në përballjen me azerbajxhanasin Mamadalijev. Edhe pse luftoi gjatë gjithë kohës, Dudaev u penalizua nga 4 faulle të kundërshtarit, që arbitrat i konsideruan të rregullta dhe në fund mundësi ynë nuk arriti të merrte fitoren e radhës në këto Lojëra të Solidaritetit Islamik.

Sakaq ka nisur konkurrimi edhe në çiklizëm, atje ku në garën e kronometrit ka marrë pjesë Brikel Barçi. Me kohën 38’12”764 ai u rendit i nëntëmbëdhjeti, ndërsa do të marrë pjesë edhe në garën e rrugës. Veç tij tanimë pritet që sportistët kuqezi të konkurrojnë në karate, not dhe xhudo për të mbyllur këtë pjesëmarrje në Lojërat e Solidaritetit Islamik.