RTSH Sport Live

Itali-Zvicër, vendimtare për “Katar 2022”

  • 12/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Itali-Zvicër, vendimtare për “Katar 2022”
Të kaltrit të shqetësuar për gjendjen e “Olimpico” të Romës, mund të luhet në Bergamo

Italia e Roberto Mançinit, pasi ka zënë vendin e tretë në Ligën e Kombeve, tanimë është duke bërë llogaritë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Dy barazimet në shtator me Bullgarinë në Firence 1-1 dhe me Zvicrën në Bazel 0-0 dhe vetëm fitorja ndaj Lituanisë 5-0 komplikuan situatën, ndërsa në mars gjërat kishin nisur më mirë për të besuarit e Mançinit. Parë kështu, më 12 nëntor sfida Itali – Zvicër është vendimtare për kualifikimin në “Katar 2022”.

Vendi i parë kualifikohet direkt, kurse të dytat bëjnë Play-off. Kjo ndeshje, e cila është vendosur të luhet në Romë më 12 nëntor në ora 20:45, mund të mos zhvillohet në “Olimpiko”. Në këto momente, Federata italiane e Futbollit është në alarm, kjo për gjendjen e terrenit të lojës.

Madje janë alarmuar pas lajmit që në “Olimpiko” më 6 nëntor do të zhvillohet ndeshja e regbisë, Itali – Zelandë e Re. Kurse një ditë më pas, më saktë më 7 nëntor, për llogari të Serisë A, Lacio do të presë Salernitanën dhe këto dy ndeshje rrisin shqetësimin për gjendjen e fushës për të cilën edhe më parë janë ankuar Murinjo e Sarri.

Nuk duhet harruar që edhe përpara këtyre dy ndeshjeve, duke nisur nga kjo fundjavë, do të jetë kampionati, por dhe Kupat e Europës, Lacio në Europa Ligë dhe Roma në Konferencë Ligë. Dhe e marta mund të vendosë shumë gjëra për vendin ku do të zhvillohet Itali – Zvicër, që me shumë mundësi më 12 nëntor do të mund të zhvendoset në Bergamo.