RTSH Sport Live

Italianët nuk i preferojnë biskotat…

  • 19/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Italianët nuk i preferojnë biskotat…
Mediat kërkojnë të luhet “fair play” sfida e fundit kundër Uellsit

Biskota mund të shijohet me me një gotë qumësht ose e shoqërua me kafen e mëngjesit, por asnjëherë për konsum futbolli, në fushë apo në shkallë. Nëse tifozëve nuk u këshillohet thjesht për shkaqe luksi, lojtarëve në fushë nuk u rekomandohet për çështje që janë tërësisht të ndryshme nga ato që lidhen me tretjen apo dietat e shëndetshme. Biskota vret futbollin.

Për të gjithë ata që nuk janë të familjarizuar me këtë fjalë në kontestin futbollistik, “biskota” është një term i përshtatur për rastet kur dy skuadra bëjnë paqe me një rezultat që u vjen atyre për shtat, duke shkaktuar dëme te një i tretë.

Kur flasim për biskota, shembulli më tipik është ai i vitit 1982 mes Gjermanisë dhe Austrisë. Ndeshja e fazës së grupeve në Kupën e Botës u mbyll 1-0 në favor të gjermanëve por ky rezultat ishte i vetmi që çonte në fazën tjetër të dyja skuadrat në dëm të Algjerisë. 4 vite më vonë, biskotën e shijuan argjentinasit në botëror ku shkatërruan 6-0 Perunë për t’i vendosur shkopinj nën rrota Brazilit.

Në këtë optikë, biskotat që mund të shpërndahen në ndeshjet e treta të grupeve janë shumë. “Gazzetta Dello Sport” në Itali e jep të qartë mesazhin për të kaltrit e Roberto Mançinit. “Biskota nuk na pëlqen. E mirë për mëngjes por e patretshme për futbollin” shkruan e përditshmja milaneze që kërkon fair play në ndeshjen e fundit të grupit kundër Uellsit ku Italia mund të mjaftohet edhe më një barazim , çka do t’i shkonte për shtat Uellsit por jo Zvicrës që duhet të luftojë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Italia është shembulli tipik se si një skuadër mund ta pësojë nga “pazari” që mund të bëjnë dy të tjera pasi shembulli i vitit 2000 mes Suedisë dhe Danimarkës është ende i freskët. Italia u largua nga Europiani pas biskotës 2-2 në ndeshjen mes nordikëve, pasi këto skuadra mund të kaulifikoheshin që të dyja vetëm me këtë rezultat.

Një tjetër grup që mund të dhurojë biskotën është edhe ai D ku Anglia dhe Republika Çeke në ndeshjen e fundit do të mjaftoheshin edhe më një barazim për të ruajtur status quonë aktuale që do të thotë kualifikim për të dyja skuadrat në dëm të Skocisë apo Kroacisë.