RTSH Sport Live

Ivan Provedel, thirrja e parë me Italinë

  • 17/09/2022
  • |
  • Itali
Ivan Provedel, thirrja e parë me Italinë
Tek Lacio 8 futbollistë në kombëtaret e ndryshme për ndeshjet e shtatorit

Ivan Provedel, portieri i Lacios, është grumbulluar me kombëtaren e Italisë. Trajneri i të kaltërve, Roberto Mançini, e ka thirrur për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Anglisë më 23 shtator në “Meaca” dhe Hungarisë më 26 shtator në transfertën e Budapestit. Pas shumë ecejakeve, kthimi i madh tek Lacio dhe dalja në Europë është shoqëruar tanimë me thirrjen e parë si portier i të kaltërve. Një emocion i jashtëzakonshëm për djaloshin, që në vitet e fundit ka punuar shumë për të arritur në nivele të larta.

“Një ëndërr që bëhet realitet”, mesazhi i postuar nga Ivan Provedel në Instagram shoqëruar me foton e listës së të grumbulluarve nga Mançini për këto dy ndeshje. Dhe Lacio, gjithnjë në rrjetet sociale, i ka dhënë komplimentat në prag të një aktivizimi të mundshëm me fanellën e Italisë. Do të jetë një herë e parë e paharrueshme.

Për sa i përket të gjithë të thirrurve në kombëtare të ndryshme nga Lacio grupi është i formuar nga 8 futbollistë: Provedel, Kançelieri dhe Imobile (Itali), Hysaj (Shqipëri), Marusiç (Mali i Zi), Milinkoviç-Saviç (Serbi), Xhila (Spanja U-21) dhe Vesino (Uruguaj).