RTSH Sport Live

Japonezët, kundër Lojërave Olimpike

  • 18/05/2021
  • |
  • Tokio 2020
Japonezët, kundër Lojërave Olimpike
Kur kanë mbetur më pak se 10 javë deri në nisjen e Lojërave, Japonia po përballet me një valë të katërt të infeksioneve.

Më shumë se 80 përqind e japonezëve janë kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike të shtyra nga pandemia, nga 2020 në 2021. Këtë e tregoi sondazhi i bërë këtë fillimjave, kur kanë mbetur më pak se 10 javë deri në nisejn e Olimpiadës.

Ky sondazh vjen pasi Japonia zgjeroi gjendjen e emergjencës ndaj koronavirusit të premten, dhe gjithë vendi po lufton me një valë të katërt të infeksioneve. Rritja e rasteve ka bërë që të shtohet presioni i sistemit shëndetësor të vendit. Mjekët paralajmërojnë se nuk ka kushte për të pritur gjithë ata sportistë në vend dhe të ruhen nga përhapja e virusit.

Sondazhi i fundjavës nga Asahi Shimbun zbuloi se 43 përqind e të anketuarve duan që Olimpiada të anulohet dhe 40 përqind duan shtyrjen e tyre, madje ata janë të pakënaqur me trajtimin e pandemisë nga ana e qeverisë. Për muaj me radhë, sondazhet kanë gjetur shumicën e popullsisë në Japoni që janë kundër mbajtjes së Lojërave këtë verë.

Por organizatorët e Olimpiadës, thonë se masat e ashpra anti-virus, përfshirë testimin e rregullt të atletëve dhe ndalimin e tifozëve jashtë shtetit, do t'i bëjnë Lojërat të sigurta. I pyetur në lidhje me sondazhet, zëdhënësi i qeverisë Katsunobu Kato tha se qeveria do "të bëjë përpjekje në mënyrë që populli japonez të kuptojë se Lojërat e Tokios do të mbahen në një mënyrë shumë të sigurt".

 Janë hapur rezervimet në internet për dy qendra vaksinimi masive, të cilat do të kryejnë deri në 10,000 vaksina në ditë në Tokio dhe 5,000 në Osaka, fillimisht për të moshuarit. Ndërsa shtetet pjesëmarrëse në Olimpiadë janë në përgatitjet e tyre të fundit.

Kështu kombëtarja australiane ka paraqitur kostumet e tyre zyrtare me të cilat sportistët do të paraqiten në ceremoninë hapëse të Olimpiadës.