RTSH Sport Live

Java e 33-të, 3 sfida mes Europës dhe mbijetesës

  • 09/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Java e 33-të, 3 sfida mes Europës dhe mbijetesës
Luhen (16:45) Teuta-Egnatia e Dinamo-Skënderbeu dhe (19:45) Vllaznia-Kukësi

Pasi ka nisur të shtunën me derbin e kryeqytetit, ku Tirana është kurorëzuar për herë të 26-të “kampione” e Shqipërisë me fitoren 2-1 me përmbysje përballë Partizanit dhe ka vijuar të dielën me sfidën e Kurbinit, ku Laçi ka siguruar edhe matematikisht vendin e dytë të renditjes me fitoren 4-1 ndaj Kastriotit, java e 33-të e Kategorisë Superiore mbyllet sot me 3 ndeshjet e fundit të saj. Në fakt, këto ndeshje pritet të japin edhe disa verdikte të rëndësishme, si sa i përket Evropës, ashtu edhe sa i përket mbijetesës.

Kështu, në betejën e fundit të renditjes, Dinamo pret Skënderbeun, në atë që është edhe shansi i fundit, edhe pse tashmë vetëm matematikor, për të dyja skuadrat për të synuar një mision, që është gjithnjë e më pamundur, për të shmangur rënien nga Kategoria. Ajo që është e sigurt, është se, në përfundim të kësaj ndeshjeje, njëra nga skuadrat, ajo që do të mundet, do të bjerë edhe matematikisht nga Kategoria, ndërsa një barazim do t’i zbriste të dyja bashkë në të Parën.

Natyrisht, kjo do të varet edhe nga fati i ndeshjes tjetër, që do të luhet në të njëjtën kohë, pra duke nisur nga ora 16:45, aty ku Teuta do të presë në Durrës Egnatian, në atë që është beteja finale për të shmangur vendin e 8-të, që nuk të zbret automatikisht nga Kategoria, por të çon në “play-off”-in e mbijetesës midis Superiores dhe të Parës. Fitorja do të siguronte matematikisht qëndrimin e durrsakëve në Superiore, kurse barazimi do të linte ende gjithçka të hapur, ndërsa fitorja e rrogozhinasve do të ndërlikonte gjithçka, teksa kanë mbetur edhe 3 javë deri në fund të sezonit.

Ndërkaq, luftohet për qëllime të kundërta në duelin që nis në ora 19:45 në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku Vllaznia dhe Kukësi përballet në një duel të drejtpërdrejtë për Evropën. Të dyja skuadrat ndajnë vendin e 4-t dhe të 5-të, me nga 46 pikë secila, 3 më pak sesa Partizani i vendit të 3-të, që ka luajtur sidoqoftë një ndeshje më tepër. Një fitore e secilës skuadër do ta mbante atë në vendin e 4-t.

 Por, ndërsa për shkodranët do të ishte një pozicion komod në renditje, pasi do ta linte Vllazninë me dy mundësi për të mbërritur Evropën, si nëpërmjet fitimit të Kupës së Shqipërisë, ashtu edhe nëpërmjet vendit të 4-t. Ndërkohë, për Kukësin, kjo është një ndeshje jetike, pasi vendi i 3-të po bëhet gjithnjë e më e vështirë për verilindorët, ndërsa vendi i 4-t ofron një gjysmë shprese për skuadrën e trajnerit Diego Longo, që sidoqoftë do të varet nga rezultati i finales së Kupës së Shqipërisë.