RTSH Sport Live

Joao Felix e Suarez përmbysin Valencian, Atletico nuk ndalet

  • 24/01/2021
  • |
  • Spanjë
Joao Felix e Suarez përmbysin Valencian, Atletico nuk ndalet
Skuadra e trajnerit Simeone arrin fitoren e shtatë radhazi në kampionat, 3-1 përballë Valencias

Në "Wanda Metropolitano", Atletico Madrid koleksionon një tjetër fitore, e shtata radhazi në kampionat, duke mundur me përmbysje Valencian me rezultatin 3-1. Racic në minutën e 11-të krijoi përshtypjen se mbrëmja e sotme do të ishte mjaft e vështirë për të besuarit e trajnerit Simeone, që e panë veten në disavantazh. Por festa e Valencias ka zgjatur vetëm 12 minuta, pasi Joao Felix ka vendosur menjëherë barazpeshën, 1-1, rezultat që ka mbyllur dhe pjesën e parë.

Pa u mbushur dhjetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, është Luis Suarez që mendon për të rikthyer buzwqeshjen në kampin e Atletio-s, ndërsa tabela elektronike shënonte 2-1 për vendasit. Për të arkivuar fitoren, në skenë është ngjitur edhe Correa, që në minutën e 72-të ka firmosur për 3-1, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide të javës së 20-të të La Liga në Spanjë.

Me këtë fitore, Atletico ngjitet në kuotën e 47 pikëve, 7 më shumë se ndjekësi më i afërt, Real Madrid, por pa harruar se skuadra e Simeone ka një ndeshje më pak. Ndërkohë, Valencia në kushte aspak premtuese, është e pozicionuar në vendin e 14-të, në kuotën e 20 pikëve.