RTSH Sport Live

Jorginho, nga Chelsea tek Arsenal

  • 31/01/2023
  • |
  • Angli
Jorginho, nga Chelsea tek Arsenal
Mesfushori italian ndryshon skuadër por jo qytet

Tronditet merkatoja e futbollistëve në Angli ku Arsenali bën një lëvizje surprizë dhe bind pronarin e Cheklsea, Tod Boehly të shesë një na pikat e referimit në mesfushën e bluve. Bëhet fjalë për mesfushorin italian, Jorginho i cili zhvendoset në klubin e “Topçinjve” për rreth 15 milionë euro. Kampioni i Europës nënshkruan një kontratë 18-mujore me ekipin e drejtuar nga Michel Arteta që momentalisht kryeson Premier League me 5 pikë avantazh ndaj Manchester City-t.

Jorginho mund të jetë një alternativë për Granit Xhakën por mund të luajë gjithashtu përkrah shqiptarit pasi Arsenali ka nevojë për alternativa në repartin e mesfushës. 31-vjeçari që prej kohësh ishte edhe në orbitën e Barcelonës, i shton shumë cilësitë e skuadrës së trajnerit spanjoll dhe e forcon më shumë organikën edhe në kuadër të Champions League për sezonin e ardhshëm.

Marrëveshje që është edhe në interes të Chelsea pasi kontrata e mesfushorit skadonte në fund të këtij sezoni dhe klubi mund ta humbiste me parametra zero. Largimi i Jorginhos i hap rrugën blerjes së Enzo Fernandez nga Benfica sepse tashmë për kampionin e botës do të ketë një rol lideri në mesfushën e Bluve të Londrës. Jorginho u bashkua me Chelsea në vitin 2018 për rreth 60 milionë euro dhe ai numëron 213 ndeshje, 29 gola dhe 9 asiste.