Vigjilja e ndeshjes mes Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid është mjaft e trazuar. Sipas medieve britanike klubi i njohur anglez është në telashe jo vetëm për shkak të numrit të madh të lojtarëve të dëmtuar (janë plot 10).
Sipas “Mirror” mësohet se në orën e fundit Ten Hag është nën presion jo vetëm për rezultatet e dobëta që kanë ardhur në fushë, por edhe për atë që ka ndodhur gjatë verës. Konkretisht në ditët e fundit janë rritur edhe më shumë zërat se Ten Hag dhe menaxheri i tij, Kes Vos, kanë rritur influencën e tyre në klub duke afruar lojtarë, të cilët këshillohen nga ky i fundit. Tabloidët në ishull kanë raportuar se në muajt e fundit negocitat për të blerë apo shitur lojtarë në Mançester i ka kryer “Vos's Sports Entertainment Group”. Në këtë grup, i cili drejtohet nga menaxheri i Ten Hag, punon edhe djali trajnerit (Najxhëll Ten Hag).
Sipas “The Sun” një tjetër problem me Junajtid është edhe sherri masiv që mori jetë në përfundim të ndeshjes të humbur me Brajtonin. Sipas tabloidit në fjalë Bruno Fernandez është konfrontuar Skot MekTominej ndërsa Viktor Lindelëf është zënë me Lizandro Martinezin. Situata pas atij takimi në “Old Trafford” ka qenë e ashpër.