RTSH Sport Live

Juve-Udinese 2-0: vendosin Dybala e McKennie

  • 16/01/2022
  • |
  • Itali
Juve-Udinese 2-0: vendosin Dybala e McKennie
Të besuarit e Alegrit rrëmbejnë tri pikë të rënda, duke arritur momentalisht Atalantën në kuotën e 41 pikëve

Pas humbjes në Superkupë, Juventusi vazhdon ecjen drejt zonës Champions në Serinë A. Në Javën e 22-të të Serisë A, skuadra e Allegrit mposhti me rezultatin 2-0 Udinesen dhe kap për momentin Atalantën me 41 pikë. Pas një fillimi të vakët, në Stadium në pjesën e parë i takon Dybala (19') të zhbllokojë lojën me ftohtësi, më pas në pjesën e dytë McKennie (79') dyfishon rezultatin me kokë dhe vendos fitoren në kasafortë.

Juventusi është skuadra që ka koleksionuar më shumë porta të pastra në Serie A nga fillimi i nëntorit deri më sot (shtatë).

Në përgjithësi, vetëm Napoli (6) ka grumbulluar më shumë rezultate të pastra në shtëpi se Juventus (5) në këtë ligë.

Nga fillimi i nëntorit e deri më sot, Juventusi ka shënuar 26 pikë në Serinë A (8F, 2B, 1H): janë ekipi me më shumë pikë, por Interi (25) dhe Atalanta (22) kanë dy më pak ndeshje të luajtura.

Juventusi ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në Serie A në shtëpi kundër Udineses, duke shënuar gjithmonë të paktën dy gola.

 Vetëm Interi (12) ka një seri më të gjatë pa humbje se Juventusi (tetë ndeshje) në këtë Serie A.

Paulo Dybala, me 4 gola në 6 ndeshjet e tij të fundit në Serie A, ka Udinesen viktimën e tij të preferuar: 10 gola në 17 ndeshje të Serisë A kundër Friulianëve.

Massimiliano Allegri grumbulloi sot garën e tij të 300-të në krye të Juventusit: kjo është fitorja numër 208; ndër tre trajnerët që kanë arritur këtë shifër te Juventusi (Trapattoni dhe Lippi të tjerët), është ai me përqindjen më të lartë të fitoreve (69%).