RTSH Sport Live

Juventus, Pirlo nuk firmos për barazim

  • 16/01/2021
  • |
  • Itali
Juventus, Pirlo nuk firmos për barazim
Tekniku i Juventusit vlerëson Conte-n: Më nxiti të bëhesha trajner

Momenti i derbit të Italisë erdhi, Andrea Pirlo është përpara provës së vërtetë, ndoshta më të rëndësishmes deri në këtë pikë te sezonit. Ish-mesfushori, që ka arritur të ringrejë moralin e djemve të tij pas disa rezultateve jo shumë pozitive kërkon t’i bëjë një surprizë edhe njeriut që sipas tij i ka dhënë shumë në karrierë.

“Ndaj Conte-s jam mirënjohës sepse më ka mësuar shumë dhe ishte i pari që më më nguliti në kokë idenë për t’u bërë trajner. Gjithsesi, në San Siro do të jemi kundërshtarë dhe unë mendoj se jemi dy karaktere shumë të ndryshëm. E vlerësoj shumë, ashtu sic më vlerëson edhe ai mua. Conte ka bërë shumë për historinë e Juventusit”.

Sipas mjeshtrit bardhezi, Inter dhe Juventus janë dy skuadra dhe klube me filozofi të ndryshme por në përbërje kanë lojtarë shumë të rëndësishëm.

“Është një ndeshje që mund të na japë një shtytje shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit. Përtej tre pikëve, mes dy skuadrave ka një histori të gjatë. Pres një Inter agresiv që nga minuta e parë por edhe ne duam të themi fjalën tonë. Duhet të jemi të çliruar psikologjikisht, sepse do të jetë një ndeshje shumë taktike. Unë asnjëherë nuk nisem për një barazim. Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të kujdesshëm për të izoluar forcën e kundërshtarëve. Ne duam të kthehemi në shtëpi me 3 pikë”.

Shumë i qartë Andrea Pirlo në konferencën e shtypit në prag të derbit të parë në rolin e trajnerit. Ish-mesfushori beson se ky është një kryqëzim i rëndësishëm në rrugën drejt titullit.