RTSH Sport Live

Juventus shet të gjithë lojtarët

  • 09/06/2023
  • |
  • Itali
Juventus shet të gjithë lojtarët
Pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve klubi ul shpenzimet në maksimum

Mos kualifikimi në Ligën e Kampionëve të vitit të ardhshëm, e përball Juventusin me një humbje prej mbi njëqind milionë euro. Në këto kushte është e pashmangshme miratimi i një politike kursimi, aty ku është e mundur. Ndaj pritet shitja e menjëhershme e atyre lojtarëve që nuk përfshihen më në planet e klubit, të cilëve do t'u shtohen edhe lojtarët me kontratë në skadencë me paga të larta. Këto lëvizje do të ishin vendimtare që me sa më pak sakrifica të krijohej një skuadër cilësore në dispozicion të Allegrit. Kështu Artur, mund të jepet në huazim dhe klubi të kursejë rreth 6.5 milionë euro të pagës së tij. Situatë e ngjashme është edhe ajo e Zakarias, i cili fiton pothuajse 4 milionë dhe nuk do të blihet nga Chelsea. Klubi do të monitorojë interesin e disa klubeve të Bundesligës që mund të shfaqen në verë.

Në rast shitje Juventusi kërkon 20-25 milionë euro. McKennie do të kthehet në Continassa, për të cilin Juve kërkon jo më pak se 30 milionë, në një kohë që paga e tij është gati 3 milionë. Mes Anglisë dhe Gjermanisë është edhe e ardhmja e Kulusevskit, për të cilën Tottenham vazhdon të reflektojë për të kërkuar një zbritje: Juve duket e gatshme të dëgjojë, por nga 35 milionë, vështirë se do ta ulë nën 30, duke pasur parasysh që lojtari është i ri dhe ka oferta për të. Për Vlahovic, Juventus do të përpiqet të mbajë shifrën e 100 milionëve. Rreth sulmuesit serb pritet të hapet një ankand, veçanërisht kur të fillojnë kërkesat për sulmues nga klubet më të mira të Evropës. Në vëmendje do të jenë edhe futbollistët, kontratat e të cilëve skadojnë në 2025.

Ata nuk do të rinovojnë dhe do të kërkohet shitja e tyre për të fituar më shumë para. Disa klube angleze po monitorojnë Iling, nga shitja e të cilit Juve dëshiron të marrë të paktën 20 milionë euro. Ndërsa Chiesa do të sakrifikohet për një ofertë të strukturuar prej rreth 50 milionë. Szczesny është gjithashtu potencialisht i transferueshëm. Pas një rinovimi automatik me bardhezinjtë, ai është ndër më të paguarit në skuadër me 6 milionë në vit. Pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, dy portierë titullarë janë të tepërt. Në rrezik është edhe Rugani, i cili ka vitin e fundit në kontratë dhe paguhet me 3 milionë e gjysmë.