RTSH Sport Live

Juventusi fiton “aktin e parë” ndaj Çelsit

  • 29/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Juventusi fiton “aktin e parë” ndaj Çelsit
Dueli i pretendenteve të grupit H vendoset nga një gol i vetëm Kiezës

Juventus-Çellsi, i vlefshëm për grupin H, ka qenë përballja më e spikatur e mbrëmjes së të mërkurës dhe që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1. Në fakt, pjesa e parë e përballjes së luajtur në Stadiumin “Allianz” të Torinos ka parë një lojë të ngjeshur, me të dyja skuadrat mjaft të disiplinuara faktikisht.

Megjithatë, kanë qenë bardhekaltërit, tashmë të drejtuar nga trajneri Masimiliano Alegri, pas largimit të Andrea Pirlos, që kanë bërë një vëllim më të madh loje përkundër londinezëve të udhëhequr nga trajneri gjerman, Tomas Tuhel, që kanë bërë një lojë më të kujdesshme në mbrojtje dhe më cinike sa u përket kundërsulmueve.

Megjithëse rastet nuk kanë munguar për skuadrën italiane, lojtarët e saj nuk kanë arritur ta gjejnë rrjetën e portës së Çellsit. Në krahun tjetër, edhe miqtë provojnë dhe godasin rrezikshëm, por asnjëra skuadër nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës, ndaj 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Ato të dytat nisin praktikisht me gol, pasi Kieza e kalon Juventusin menjëherë në epërsi.

E gjithë pjesa e dytë në vijim do të shohë Çellsin të zhvendosë lojën në gjysmëfushën e italianëve, të cilët mbrohen ngjeshur dhe e mbajnë larg sulmin e anglezëve. Pavarsisht përpjekjeve të miqve dhe 5 minutave shtesë, Juventusi e mbron fitoren minimale, por mjaft të vyer që e mban të vetëm në krye të renditjes së grupit.