RTSH Sport Live

Kampionati i 85-të Kombëtar i Atletikës për të Rinj, ja fituesit

  • 05/06/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Kampionati i 85-të Kombëtar i Atletikës për të Rinj, ja fituesit
Vllaznia dhe Skënderbeu, “kampione” ekipore, Kiri dhe Dauti, sportistët më të mirë

Në fundjavë, në mjediset e Stadiumit “Elbasan Arena” u zhvillua Kampionati i 85-të Kombëtar i Atletikës për të Rinj dhe të Reja. Duhet theksuar se kjo veprimtari ishte e para që zhvillohet nën drejtimin Presidentit të sapozgjedhur të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, i cili, ashtu sikundër kishte premtuar në intervistat dhënë më herët për mediat, ishte siguruar për organizimin e një kampionati dinjitoz dhe kjo u pa teksa e gjithë veprimtaria u karakterizua nga një tjetër nivel organizimi, bashkëkohor dhe me seriozitet.

Nuk mungoi në çeljen e kësaj veprimtari edhe prania e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, i uroi punë të mbarë presidentit të ri të FSHA-së, duke shprehur besimin e tij në potencialin që këta sportistë kanë për të ardhmen. Në këtë Kampionat Kombëtar të kësaj grupmoshe morën pjesë klubet kryesore të atletikës në vend, si ai i Tiranës, Teutës, Vllaznisë, Skënderbeut, Mjeshtrisë Sportive, etj., që, të gjithë së bashku siguruan një pjesëmarrje masive prej mbi 300 te rinjsh e të rejash, që konkurruan me njëri-tjetrin 17 disiplina sportive.

Në këtë kampionat spikatë talente të rinj e të reja, që sigurojnë se kampionë të brezave të ardhshëm po vijnë. Ndërkaq, sikundër ishte paralajmëruar, u provua edhe thyerja e rekordit  kombëtar në disiplinën e 200 m për meshkuj nga sportisti Franko Burraj, i cili konkurroi jashtë gare, duke qenë në moshë më të madhe sesa e lejonte kampionati. Por era e fortë që frynte përkundër drejtimit të garimit dhe që ishte mbi kufinjtë e lejuar, nuk e lejuan atletin shkodran ta thyente rekordin, duke shpresuar ta bëjë këtë në një garë tjetër në të ardhmen.

Kështu, në mbyllje të sa i përket garës ekipore, Vllaznia u shpall “kampione” për meshkuj, ndërsa për femra, “kampione” u shpall skuadra e Skenderbeut. Ndërkaq, sa i përket çmimeve individuale, Kolindo Kiri i Vllaznisë u shpall sportisti më i mirë për djem, ndërsa për femra, sportistja më e mirë ishte Redia Dauti per vajza. Duhet theksuar se, si kurrë më parë, Federata Shqiptare e Atletikës i shpërbleu me çmime motivuese financiare sportistët më të mire për meshkuj dhe femra.