RTSH Sport Live

Kampionati i rrjetës në RTSH

  • 16/09/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Kampionati i rrjetës në RTSH
Erzeni – Tirana sfida që vjen drejtpërsëdrejti në ora 19:00 nga “Dhimitraq Goga”

Rikthehet Kampionati Kombëtar i Volejbollit në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Pikërisht për javën e parë të djemve, kjo për sezonin 2023-2024, duke nisur nga ora 19:00 në RTSH Sport do të vijë drejtpërsëdrejti Erzeni – Tirana, që luhet në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt.

Një çift që sezonin e fundit ka rivalizuar fort me njëri-tjetrin, jo vetëm për titullin kampion, por në të gjitha trofetë që kanë qenë në lojë. Kjo që nga Kupa e Pavarësisë, Kupa e Shqipërisë, Liga “Gjergj Kastrioti” e së fundmi në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, që u fitua nga Tirana, 3-0.

Ndërkohë sezoni i ri si për vajza, ashtu dhe për djem ka nisur që të premten. Kështu për meshkuj Studenti ka mundur Elbasanin, 3-0 dhe me të njëjtin rezultat ka fituar dhe Partizani në Durrës. I njëjti rezultat ishte dhe për femra kur Barleti Volej mundi Lushnjën dhe Partizani, Teutën.

Këtë të shtunën në fushën e lojës përballë njëra-tjetrës do të jenë edhe Pogradeci – Tirana për femra, Skënderbeu – Vllaznia meshkuj dhe femra. Pra rrjeta shqiptare zbret gjerësisht në parket.