RTSH Sport Live

Kanada, prova e së vërtetës për Ferrarin

  • 16/06/2022
  • |
  • Formula 1
Kanada, prova e së vërtetës për Ferrarin
Vjen takimi në Montreal, si mundësia e fundit për të synuar titullin.

Misioni Baku dështoi. E tani për Ferrarin vjen takimi në Montreal, si mundësia e fundit për të synuar titullin. Pesë humbje radhazi, duke filluar nga Imola, kanë lënë gjurmë. Max Verstappen dhe Red Bull morën kryesimin në renditjen e pilotëve dhe konstruktorëve, ndërsa Charles Leclerc pa me trishtim se si katër pole position e arritur në kualifikuese u sfumuan dhe ai e sheh veten 34 pikë larg nga holandezi. Strategjia e gabuar e skuadrës i kushtoi triumfin në Monte Carlo.

Nga ana tjetër, njësia e energjisë e tradhëtoi në Spanjë dhe Azerbajxhan. Një sërë mundësish të humbura që do të kishin ulur moralin e kujtdo. Pas dështimit të të dy pilotëve të dielën e kaluar, Leclerc u shfaq tepër i dëshpëruar, ndërsa drejtori i ekipit Mattia Binotto i siguroi të gjithë se kishte folur me pilotin dhe e kishte parë ende të motivuar dhe të përfshirë në projekt. Megjithatë ekziston rreziku që Charles të humbasë motivimin. Pak a shumë si ajo që po ndodh me Leëis Hamilton, i cili dikur luftonte për Kampionatin Botëror dhe tani po përpiqet të japë më të mirën e tij me një Mercedes zhgënjyes.

Kjo situatë e nderë te Ferrari duhet të shmanget absolutisht. Kjo është arsyeja pse Binotto theksoi rëndësinë e mbajtjes së ekipit të bashkuar, duke shmangur rrezikun e një spiraleje negative. E pjekuria me të cilën ka menaxhuar situatat më të nxehta gjatë këtij kampionati, janë një shenjë e rritjes së pilotit nga Monako. Qëndrimi i qetë në këtë moment kritik do të jetë një provim i mëtejshëm i pjekurisë së tij, për të qenë gjithnjë e më shumë lider i Ferrarit.

Nuk ka alternativa në horizont. E ardhmja e Leclerc, i cili ka një kontratë deri në vitin 2024, duket e lidhur pashmangshmërisht me skuadrën e kuqe, edhe për shkak të pranisë së menaxherit Nicolas Todt. Pasi Red Bull e ka tashmë numrin një, duke qenë se Verstappen është i blinduar deri në vitin 2028. Ndërsa Mercedes, sot në krizë, e ka bastin të fituar për Russell si post-Hamilton. Pra, Ferrari duhet të vazhdojë të besojë te Leclerc.

E Ferrari mund të bëhet makina që duhet të mposhtet duke filluar nga viti 2023, gjithnjë nëse gjen besueshmëri. Lajmi i fundit që vjen nga FIA është se gara e F1 do të vazhdojë të zhvillohet edhe për trembëdhjetë sezone të tjera në Melbourne. Organizatorët e garës në Albert Park kanë nënshkruar kontratën me FIAn me një kohëzgjatje deri në 2035.