RTSH Sport Live

Katar 2022, mbrëmje orientuese me 20,000 vullnetarët

  • 05/09/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Katar 2022, mbrëmje orientuese me 20,000 vullnetarët
Mbrëmja orientuese u zhvillua në stadiumin Lusail, ku do të zhvillohet edhe ndeshja finale

20,000 vullnetarë do të jenë prezent për të ndihmuar në mbarëvajtjen e Botërorit Katar 2022, i cili do të zhvillohet nga 20 nëntori-18 dhjetor. Janë vullnetarë me 155 kombësi të ndryshme, duke përfshirë edhe 32 shtetet, skuadrat e të cilëve janë të kualifikuara për të luajtur finalet e këtij botërori. Organizatorët e botërorit të Katarit kanë organizuar një mbrëmje orientuese për vullnetarët, duke iu mundësuar të gjitha veprimet që do të kryejnë në një ditë gjatë veprimtarisë madhore të futbollit.

Mbrëmja orientuese u zhvillua në stadiumin Lusail, ku do të zhvillohet edhe ndeshja finale. Vullnetarët ishin veshur me uniformat vjollcë dhe të gjelbër, me të cilat do të vishen gjatë turneut. Organizatorët e botërorit të Katarit kanë marrë më shumë se 500,000 aplikime, të cilat u studiuan për 6 muaj për të zgjedhur këta 20 mijë vullnetarë, - tha Drejtori i Përgjithshëm i Katar 2022, Nasser Al-Khater.

Kjo mbrëmje ishte “një hap i rëndësishëm për stadiumin Lusail, për të testuar gjithashtu vetë objektin”, - shtoi Al-Khater. Ngjarja e radhës në rrugën drejt Kupës së parë të Botës në një vend arab është inaugurimi zyrtar i stadiumit Lusail, në veri të kryeqytetit Doha, më 9 shtator. Stadiumi me 80,000 vende do të presë një ndeshje midis klubeve kampione të Arabisë Saudite dhe Egjiptit, Al Hilal dhe Zamalek.