RTSH Sport Live

Katar 2022: Turqia shpërthyese, Hollanda e Kroacia ngrihen

  • 27/03/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Katar 2022: Turqia shpërthyese, Hollanda e Kroacia ngrihen
Calhanoglu & Co mundën Norvegjinë 3-0, ringjallet Hollanda, 2-0 ndaj Letonisë, Kroacia falë Pasalic mundi 1-0 Qipron falë Pasaliç. Fitore edhe për Rusinë dhe Malin e Zi

Kualifikueset për Kupën e Botës 2022 vazhdojnë nën shenjën e Turqisë, e cila bën dy në dy duke mundur Norvegjinë 3-0 falë Tufan (dopietë) dhe Soyuncu. Të besuarit e trajnerit Gunes kaluan në avantazh me anë të Tufan pas 4 minuash lojë, ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 28’ me anë të Soyuncu.Në pjesën e dytë turqit shënuan edhe golin e tretë, ishte përsëri Tufan që kompletoi dopietën në minutën e 59’,  duke kapitulluar kështu përfaqësuesen e Norvegjisë.

Në sfidën tjetër të këtij grupi(Grupi G), Hollanda bëri detyrën përballë Letonisë, duke fituar me rezultatin 2-0. Tulipanët arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 32-të me autor Berghuis, ndërsa në pjesën e dytë dyfishuan me de Jong 69’.

Kroacisë, e cila bën pjesë në Grupin H, i ka mjaftuar një gol i Pasalic për të kaluar pengesën Qipro. Mesfushori I Atalantës ka arritur të shënojë në minutën e 40-të golin me vlerën e tri pikëve, duke bërë që të harrohet dhe humbja në ndeshjen hapëse të këtyre kualifikueseve, ajo me Slloveninë, 0-1.  

Në ndeshjet e tjera, fitoret për Rusinë (2-1 ndaj Sllovenisë, Iliciç nuk mjafton), Malin e Zi (4-1 kundër Gjibraltarit) dhe Bjellorusinë (4-2 kundër Estonisë).