Katari do të presë muajin e ardhshëm, garën inauguruese të Formula 1, vend që iu bashkua këtij botërori, si zëvendësues i minutës së fundit, pas anuluimit të garës në Australi dhe organizatorët po mundohen që ta zhvillojnë atë me një kapacitet të plotë spektatorësh. "Lusail është një cirkuit ndërkombëtar, në të cilin janë zhvilluar shumë gara, si për motorë ashtu për makina. Është plotësisht i homologuar nga të dyja federatat, FIM dhe FIA, e për të pritur një garë të Formula 1, na duheshin vetëm pak ndryshime. Ne po përpiqemi të kemi një kapacitet të plotë spektatorësh, e për këtë po punojmë ditë e natë. Procedurat aktuale brenda Katarit na lejojnë të kemi kapacitet 100 për qind për sa kohë që individët janë të vaksinuar ose kanë prova që kanë antitrupat e Covid-19.
Por si garat e tjera në rajon nuk do të ketë alkool për fituesit, pra nuk do të ketë shampanjë në podium. Ne kemi vlerat dhe kulturën tonë dhe respektojmë kulturën e të tjerëve”, - ka thënë Abdulrahman Al Mannai, president i Federatës së Makinave dhe Motorëve të Katarit, në një intervistë për AFP. - Është një kornizë kohore shumë e vogël për ne dhe po punojmë shumë për t'u siguruar që të ndodhë në një standard vërtet të lartë". Pilotët e Formula 1 do të jenë të lirë të "thonë mendimin e tyre" për çështje të diskutueshme siç janë të drejtat e njeriut kur Katari të presë Çmimin e Madh të parë muajin e ardhshëm. Vendi arab i Gjirit ka qenë objektiv i protestave nga disa ekipe kombëtare të futbollit për trajtimin e punëtorëve të huaj, si pjesë e një vale të aktivizimit social nga atletët.
Por Katari, i cili do të presë Kupën e Botës saktësisht një vit nga gara e tij inauguruese e Çmimit të Madh më 21 nëntor, nuk do t'i ndalojë pilotët e F1 të flasin hapur, tha shefi i motorsportit në Katar. Kampioni i botës në fuqi, Leëis Hamilton është një zë i fortë në lëvizjen Black Lives Matter dhe 4 herë fituesi i titullit botëror në Formula 1, Sebastian Vettel është një tjetër pilot që mbron çështjet sociale. Katari ka nënshkruar një marrëveshje 10-vjeçare për të zhvilluar aty garat e Formula 1 nga viti 2023. Ajo në Losail është e para nga tre garat e Lindjes së Mesme për mbylljen e sezonit, që i paraprin atij të Arabisë Saudite dhe finales në Abu Dhabi.