RTSH Sport Live

Kategoria e Parë: Dinamo ndëshkon Burrelin, dorëhiqet Nikaj. Fiton Korabi

  • 24/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë: Dinamo ndëshkon Burrelin, dorëhiqet Nikaj. Fiton Korabi
Dinamo forcon kreun e renditjes, matjanët ndihen të grabitur nga gjyqtarët

Ortolani është heroi i ndeshjes Dinamo – Burreli, ndërsa goli i tij në minutën e parë shtesë i ka dhënë një trepikësh me vlera bluve të Olsi Ukut, të cilët edhe pas javës së tretë të Promocionit janë në krye të grupit A me 41 pikë. Pas tyre Korabi me 39 pikë e Burreli në vendin e tretë me 37 pikë. Një humbje që ka sjellë dhe largimin e trajnerit të Burrelit, Samuel Nikaj, i cili menjëherë pas ndeshjes ka dhënë dorëheqjen.

Në përgjithësi edhe duke qenë se ishte ndeshje që do të mund të vendosë shumë për fatet e skuadrës që do të ngjitet në Superiore, Dinamo e Burreli kanë luajtur një ndeshje të tensionuar. Ndërhyrjet e ashpra të matjanëve janë ndëshkuar që në të 10’, ndërsa Rraboshta është i pari që ndëshkohet me karton të verdhë.

Shumë pak mendohet për sulmin dhe portierët Miraka e Bakaj janë spektatorë, kurse në të 27’ një tjetër i ndëshkuar nga Burreli ishte Koleci. Vetëm në të 30’ vjen gjuajtja e parë për të dy skuadrat, që u krye nga Kolgega, por pa shënjestrën e duhur. Një minutë më pas provon Da Silva, por dhe ky pa rezultat.

Rastin më të pastër për të kaluar në avantazh e ka Burrelit, atëherë kur Rexhepi ka kërkuar të shmangë dhe portierin Bakaj për të çuar topin në rrjetë. Gjithçka ndodh në të 35’, ndërsa mbrojtësi i katërkëndorit të bluve ia ka rrëmbyer topin Rexhepit nga këmbët dhe Dinamo shpëton nga pësimi i golit.

Tensioni është i madh, aq sa është ndëshkuar dhe trajneri Samuel Nikaj për protesta me karton të verdhë. Në shtesë provon dhe Hidri për Dinamon, por 45 minutëshi i parë është mbyllur pa gola, 0-0. Matjanët kanë rrezikuar në të 62’ me Rraboshtën, gjuajtjen e shkodranit e ka grushtuar Bakaj. Por Burreli i ka komplikuar situatat, ndërsa Sefgjinaj ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje të ashpër ndaj Alillarit.

Dhe pse me dhjetë futbollistë, Burreli mund të kishte shënuar në të 69’ me Ujkajn, që nuk arrin të kalojë Bakajn, apo dhe me Hasajn në të 81’, i cili finalizon dobët. Dinamo paralajmëron golin në të 89’, moment të cilin e ka zgjidhur Miraka në dy kohë. Dhe vjen goditja e artë e Ortolanit në minutën e parë shtesë, kurse në fundin e ndeshjes goli i anulluar i Rraboshtës, pas gjuajtjes me roveshiatë, lë shumë hije dyshimi.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera, Korabi ka fituar 3-1 ndaj Vorës. Skuadra dibrane e ka zgjidhur sfidën në pjesën e parë me golat e Skukës(dopietë) dhe Murrjas. Goli i vetëm për Vorën është shënuar nga Xhaferri me penallti në minutën e 83-të.

Ndërkohë, tek mbijetesa bien në sy fitoret e skuadrave udhëtuese. Kështu Oriku ka mundur 1-0 Partizanin B, Erzeni 2-0 Veleçikun dhe Elbasani, që merr fitoren e parë të kampionatit, 1-0 Flamurtarin. E kategoria e parë vijon të jetë surprizuese dhe në fazën e tretë.

KATEGORIA E PARË

Rezultatet/Grupi A(Play Off)

DINAMO-BURRELI 1-0

Golat: Ortelani 90’+2

KORABI-VORA 3-1

Golat: Skuka 4’, 32’, Murrja 12’

Rezultatet/Grupi A(Play Out)

PARTIZANI B-ORIKU 0-1

Golat: Qejvani 50’(pen.)

VELEÇIKU-ERZENI 0-2

Golat: Levendi 16’, Hyska 81’(pen.)

Rezultatet/Grupi B(Play Out)

FLAMURTARI-ELBASANI 0-1

Golat: Klau 76’