RTSH Sport Live

Kategoria e Parë mbyll fazën e “Play Off”-it

  • 15/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë mbyll fazën e “Play Off”-it
Dinamo dhe Egnatia e Rrogozhinës, fituese të grupeve, Burreli-Tomori, dueli i “shpresës”

Dinamo është kurorëzuar edhe zyrtarisht fituese e grupit A ose grupit të Veriut në Kategorinë e Parë, edhe pse është mundur në ndeshjen e fundit, 1-2 në Burrel përballë skuadrës vendase. Në takimin që uli siparin e zonës së “play-off”-it për këtë grup dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, matjanët e kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës, nga një herë për secilën pjesë loje, fillimisht me Farrukun, në minutën e 7-të. Rexhepi ka gjetur golin e dytë për vendasit 15 minuta para fundit të kohës së rregullt. Goli i Alillarit për Dinamon në fund ka shërbyer thjesht për statistikë.

Burreli fiton 2-1 dhe ruan vendin e dytë në renditjen e grupit A, duke siguruar kështu vendin për të vijuar më tej betejën midis dy vendeve të dyta të Kategorisë së Parë, fituesja e të cilës do të përballet në “play-off”-in me të 8-ën e Kategorisë Superiore.

Matjanët do të përballen me Tomorin, që u rendit i dyti në grupin B ose grupin e Jugut, teksa të shtunën mundi Besën 4-2. Me të njëjtat shifrat ka fituar ndaj Pogradecit edhe Egnatia e Rrogozhinës, që, është kurorëzuar edhe zyrtarisht fituese e grupit B dhe do të ndeshet në finale me Dinamo për kurorën e “kampiones” së Kategorisë së Parë. Ndërkaq, në dy ndeshjet e vlefshme për zonën e mbijetesës në grupin B, Lushnja dhe Elbasani janë ndarë në barazim 1-1, ndërsa Flamurtari ka mundur 3-1 në Vlorë Turbinën e Cërrikut.

REZULTATET:

PLAY-OFF, GRUPI A

BURRELI DINAMO 2-1

Golat: Farruku 7′ , Rexhepi 75′ /Alillari 90′

VORA-KORABI  1-5

Golat: Segero 60′ / Skuka 28′ , 67′ , 77′ , 89′ (p), Murrja 90+2′

PLAY-OFF, GRUPI B

EGNATIA-POGRADECI 4-2

Golat: Krasniqi 7′ , Shtubina 16′ , A.Magani 18′, 69′   / Laçka 62′ , Abazaj 81′

BESA-TOMORI 2-4

Golat: Lila 54′ , Muzhaqi 77′ / Oshafi 35′, 37′ , Canka 59’, 88’

PLAY-OUT, GRUPI B

LUSHNJA-ELBASANI 1-1

Golat: Mone 49’/Karati 65’

FLAMURTARI-TURBINA 3-1

Golat: Diamanti 4’, Metani 75’, Gegaj 86’/Jaupaj 77’