RTSH Sport Live

Kategoria e Parë në sprintin final

  • 29/04/2023
  • |
  • Kategoria e Parë
Kategoria e Parë në sprintin final
Skënderbeu kërkon titullin, pesë skuadra në “luftë” për mbijetesë

Sektori i garave pranë Federatës shqiptare të Futbollit ka vendosur që kjo javë e Kategorisë së Parë të jetë pushim. Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga përfundimi i sezonit, java e 25-të e saj do të zhvillohet më datë 6 maj. Pak a shumë janë mësuar skuadrat që kanë arritur objektivat e tyre.

Skënderbeu dhe Dinamo janë dy skuadrat që kanë arritur Kategorinë Superiore, me vetëm një çështje të hapur, atë të titullit kampion. Korçarët duhet të fitojnë ndaj Besës në shtëpi për të festuar, pasi Dinamo ka siguruar tre pikët që këtë javë do të luante ndaj Tërbunit, aktualisht i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Në këto dy javë luhet për një vend në play-off, Flamurtari duket se ka blinduar vendin e tretë, vlonjatët do të luajnë në Lezhë ndaj Besëlidhjes që ka rënë në një kategori më poshtë, ndërsa Tomori i vendit të katërt, do të presë Korabin, ku diferenca është vetëm një pikë larg, andaj pritet të jetë një sfidë interesante.

Apolonia dhe Luzi janë në kuotën e 35 pikëve, me Luzin që ka golavarazhin më të mirë dhe renditet në vendin e gjashtë. Sfida që do të zhvillohet në Fier ka të papritura, pasi janë dy skuadrat që po kalojnë një moment të mirë. Situata më interesante është zona e mbijetesës.

Janë pikërisht 5 skuadra që kërkojnë të shpëtojnë sezonin. Duke filluar nga Besa e vendit të tetë e përfunduar te Oriku në vendin e 12-të, gjithçka është e hapur ku askush nuk dëshiron të gabojë në sprintin final. E.Ç.