RTSH Sport Live

Kategoria e Parë në sprintin final, Apolonia-Luzi në RTSH

  • 07/05/2023
  • |
  • Kategoria e Parë
Kategoria e Parë në sprintin final, Apolonia-Luzi në RTSH
Skënderbeu kërkon titullin, pesë skuadra në “luftë” për mbijetesë

Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga përfundimi i sezonit të Kategorisë së Parë, pak a shumë janë mësuar skuadrat që kanë arritur objektivat e tyre.

Skënderbeu dhe Dinamo janë dy ekipet që kanë arritur Superioren. Korçarët duhet të fitojnë ndaj Besës në shtëpi për të festuar, pasi Dinamo ka siguruar tre pikët që këtë javë do të luante ndaj Tërbunit, aktualisht i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Në këto dy javë luhet për një vend në play-off, Flamurtari duket se ka blinduar vendin e tretë, vlonjatët do të luajnë në Lezhë ndaj Besëlidhjes që ka rënë në një kategori më poshtë, ndërsa Tomori i vendit të katërt, do të presë Korabin, ku diferenca është vetëm një pikë larg, andaj pritet të jetë një sfidë interesante.

Apolonia dhe Luzi janë në kuotën e 35 pikëve, me Luzin që ka golavarazhin më të mirë dhe renditet në vendin e gjashtë, një sfidë që do të vit për të gjithë teleshikuesit në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Sfida që do të zhvillohet në Fier ka të papritura, pasi janë dy skuadrat që po kalojnë një moment të mirë.

Situata më interesante është zona e mbijetesës. Janë pikërisht 5 skuadra që kërkojnë të shpëtojnë sezonin. Duke filluar nga Besa e vendit të tetë e përfunduar te Oriku në vendin e 12-të, gjithçka është e hapur ku askush nuk dëshiron të gabojë në sprintin final.