RTSH Sport Live

Kategoria e Parë ngre siparin për sezonin e ri

  • 03/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë ngre siparin për sezonin e ri
 Luhen 5 nga 7 ndeshjet e javës së parë, Besa-Tomori 0-0 erdhi direkt në RTSH

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ngritur të shtunën siparin e edicionit të ri, me 5 prej 7 takimeve të javës së parë. Siç dihej, përballja Lushnja-Burreli, që duhet të shtunën, është shtyrë për shkak se fusha e Stadiumit “Roza Haxhiu” nuk ishte ende gati për lojë. Ndërkaq, takimi që ka ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka qenë dueli midis Besës dhe Tomorit, që u luajt në Stadiumin e Peqinit.

Ndonëse ka qenë një përballje e luftuar nga fillimi deri në fund, qoftë për meritë të gardianëve përkatës të portave, qoftë edhe për pasaktësi në finalizim, asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur ta gjejë dot rrugën e rrjetës dhe Besa e Tomori janë ndarë me një barazim të bardhë, duke u detyruar të kënaqen me nga një pikë secila.

Me rrjeta të paprekura janë mbyllur edhe dy përballje të tjera, Korabi-Apolonia në Peshkopi dhe Turbina-Besëlidhja në Cërrik, ndërsa në barazim, por me gola, është mbyllur edhe ndeshja në Pukë, midis Tërbunit dhe Skënderbeut.

E papritura më e madhe ka ardhur në Vlorë, aty ku Luzi 2008, ka kapërcyer pësimin e një goli në fillimin e pjesës së dytë, dhe ka shënuar dy herë në 12 minutat e fundit, duke mundur Flamurtarin 2-1. Takimi i fundit i javës së parë të Kategorisë së Parë, është ai midis Dinamos dhe Orikumit, që luhet të dielën pasdite.

JAVA E PARË

FLAMURTARI – LUZI 1-2

Kamargo 49’/ Cucka 78′, Dushaj 81′

TËRBUNI – SKËNDERBEU 1-1

Xhabrahimi 35’/ Zguro 45′

BESA – TOMORI 0-0

KORABI – APOLONIA 0-0

TURBINA – BESËLIDHJA 0-0