Korabi ka bërë surprizën, ndërsa ka thyer Burrelin në fushën matjane. Një fitore e djemve të Agim Canajt, që zbret matjanët nga froni e që ngjit Dinamon në krye të renditjes, ndërsa blutë kanë mundur nga ana e tyre 2-1 Vorën. Gjithçka ka ardhur nga goli i Paplekajt në të 7’, që i harruar nga mbrojtja e Burrelit me kokë e ka dërguar topin në krahun e djathtë të portierit matjan.
Burreli ushtron presion, krijohen raste, por nuk është qetësia e duhur për të finalizuar. Aq më tepër që portieri i Korabit, Mehidri, është bërë pengesë e madhe për matjanët. Rraboshta ka provuar në të 3’, në të 26’ dhe në të 31’, por Mehidri thotë “Jo”. Portieri i Korabit ka thënë jo dhe ndaj Vecajt në të 24’, apo dhe ndaj Kurbneshit në fundin e pjesës së parë.
Dibranët janë mbrojtur fort e kanë kundërsulmuar rrezikshëm, ndërsa në të 39’, Skuka mund të kishte mbyllur gjithçka, por Miraka grushton. Fillimi i pjesës së dytë është turbullues për vendësit, sepse Miraka ka dalë keq dhe Skuka nuk përfiton për ta shtyrë topin në rrjetë. Burreli ka protestuar ashpër ndaj gjyqtarit Ferhataj në të 50’ për një penallti të padhënë pas pengimit të Kurbneshit nga Marku.
Rraboshta ndëshkohet me karton të verdhë për protestë, kurse të gjithë lojtarët matjanë kanë rrethuar gjyqtarin patosarak, veçse vendimi i Ferhatajt ishte i pandryshueshëm. Madje Burreli ka dhe dy pretendime të tjera për penallti. Kjo në të 63’ pas pengimit të Stanajt, apo dhe në të 87’ pas prekjes me dorë të topit nga Paplekaj.
Por për Ferhatajn gjithçka ka qenë e rregullt. Burreli ka pasur dhe momente të tjera për të barazuar. Fillimisht Vecaj në të 57’, Stanaj në të 61’ dhe Rraboshta në fundin e lojës, por fati nuk është me Burrelin, ndërsa në vërshëllimën e fundit të Ferhatajt është Korabi fitues në “Liri Ballabani”.
Ndërkohë Dinamo ka fituar ndaj Vorës 2-1, kurse pjesa e promocionit për grupin B, atje ku në RTSH Sport do të vijë drejtpërsëdrejti Egnatia – Tomori, apo dhe pjesa e mbijetesës do të luhet të dielën.
KATEGORIA E PARË
Rezultatet
Grupi A(Play Off)
BURRELI-KORABI 0-1
Golat: Paplekaj 7’
DINAMO-VORA 2-1
Golat: Da Silva 26′. Xhixhiua 47/ Keqa 53′
GRUPI A(Play Out)
ERZENI-PARTIZANI B 2-1
Golat: Reçi 48′, Allmeta 70′ / Çema 25’
BESËLIDHJA-VELEÇIKU 2-0
Golat: Danaj 30’, Përgjoni 56′/Banushaj 75’
GRUPI B(Play Out)
TURBINA-FLAMURTARI 4-0
Golat: Shehi 3’, Jaupaj 12’, Brahimlika 22’, Jaupaj 68’