RTSH Sport Live

Kategoria e Parë, përvijohen emrat e stolave

  • 26/06/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë, përvijohen emrat e stolave
Fundjava sjell një fluks zyrtarizimesh, vetëm 5 skuadra, ende pa trajner

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë ka përjetuar gjatë dy ditëve të fundit një situatë interesante. Nëse deri ditën e enjte 12 prej 14 klubeve të saj nuk kishin një emër të konfirmuar në drejtimin e tyre, gjendja është përmbysur brenda diçka më pak sesa 48 orësh. Kjo sepse plot 5 trajnerë janë zyrtarizuar në një ditë, duke ndryshuar shumëçka sa i përket gjendjes në Kategorinë e Parë. Kështu, nëse më herët Besëlidhja kishte konfirmuar Alban Brukën dhe Besa Gugash Maganin, janë shtuar edhe disa zyrtarizime të tjera.

Kështu, Nevil Dede ka lënë Erzenin, për të marrë drejtimin e Dinamos, që ka larguar italianin Vanoli, ndërsa Migen Memelli është rikthyer tek Skënderbeu, me misionin për ta rikthyer menjëherë 6-herë kampionen e vendit në nivelin më të lartë, në Kategorinë Superiore. Të njëjtin mision ka edhe Dritan Resuli, i cili rikonfirmohet tek Flamurtari pasi e ktheu skuadrën vlonjate në Kategorinë e Parë, kurse Tërbuni i Pukës i beson Alert Alcanit dhe Turbina e Cërrikut Adriatik Faslliut.

Ndërkohë ditën e shtunë janë zyrtarizuar edhe Arlind Rustemaj tek Oriku, si dhe Klodian Duro te Lushnja, i cili zëvendëson në këtë detyrë një tjetër emër të njohur, Agim Canajn. Kështu, për momentin, vetëm Korabi, Apolonia, Tomori, Burreli dhe Luzi 2008 nuk kanë një emër të konfirmuar për stolin e tyre, ndërsa duhet theksuar se sa u përket stërvitjeve, asnjë skuadër nuk ka nisur ende fazën përgatitore.

SITUATA ME TRAJNERËT NË KATEGORINË E PARË:

DINAMO Nevil Dede (i zyrtarizuar)

SKËNDERBEU Migen Memelli (i zyrtarizuar)

KORABI Donald Mëziu (i pakonfirmuar)

APOLONIA Juri Kanarsa (i larguar)

TOMORI Klodian Arbëri (i pakonfirmuar)

TËRBUNI Alert Alcani (i zyrtarizuar)

BESA Gugash Magani (i zyrtarizuar)

BURRELI Alert Alcani (i larguar)

BESËLIDHJA Alban Bruka (i rikonfirmuar)

LUSHNJA Klodian Duro (i zyrtarizuar)

TURBINA Adriatik Faslliu (i zyrtarizuar)

ORIKU Arlind Rustemaj (i zyrtarizuar)

LUZI Lorenc Pashja (i pakonfirmuar)

FLAMURTARI Dritan Resuli (i rikonfirmuar)