Kategoria e parë luan sot javën e 6-të në të dyja grupet. Ky aktivitet do të ndahet në dy ditë, sepse ditën e enjte janë planifikuar dy sfida, njëra prej tyre do të jetë edhe në ekranin e RTSH Sport (Partizani B. - Dinamo ora 13.30). Gjithësesi, dita e mërkurë ofron përballje nga më interesantet si në Grupin A ashtu edhe në Grupin B.
Besëlidhja - Erzeni. Lezhjanët kanë mundësinë më të mirë për të bërë kthesën sot kur presin Erzenin në stadiumin “Besëlidhja”. Të besuarit e Sinan Bardhit nuk e kanë nisur si duhet këtë sezon dhe ndaj skuadrës nga Shijaku kanë premtuar kthesën. Besëlidhja është 6 pikë larg Korabit kryesues dhe në dy ndeshjet e fundit ka vetëm një pikë.
Burreli - Korabi. Ndoshta në fillim të sezonit nuk mendohej që kjo sfidë do të cilësohej si ndeshja e kreut në Grupin A të Kategorisë së parë. Korabi kryeson grupin me 13 pikë edhe pse duhet thënë se ka një ndeshje më shumë se rivalët e tjerë. Por fakt është që skuadra dibrane përveç një barazimi me Partizanin B, i ka të gjitha ndeshjet fitore, madje edhe ka eleminuar Tiranën nga Kupa e Shqipërisë. Edhe Burreli është pa humbje dhe ndodhet vetëm 3 pikë larg Koabit, duke patur edhe një ndeshje më pak, prandaj sot në Burrel pritet një “betejë” më vete.
Sot për grupin A do të luhet edhe Vora me Orikun. Vora nuk ka ende asnjë fitore dhe renditet e fundit, ndërkohë që Oriku me 2 fitore dhe dy humbje ka një vend komod në klasifikim.
Sa i përket Grupit B, ajo që bie në sy është sfida e Lushnjës. Vendasit do të presin Pogradecin duke përsëritur kështu, duelin e ekipeve që kanë diskutuar për Superiore sezonet e fundit. Lushnja pas dy barazimesh, ka gjetur fitoren ndaj Elbasanit në transfertë. Kjo do të jetë edhe sfida që do transmetohet në RTSH Sport në orën 13.30.
Ndeshja tjetër që luhet sot në Grupin B është edhe Tomori - Turbina, sepse Egnatia e ka pushim, duke qënë se kalendari i ka rezervuar Luftëtarin që nuk ka marë pjesë në këtë kampionat.