RTSH Sport Live

Kërkesa e tifozëve të Interit për Asllanin: Shëno në derbi

  • 29/06/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kërkesa e tifozëve të Interit për Asllanin: Shëno në derbi
Mesfushori shqiptar u prit me entuziazëm nga tifozët zikaltër

Një ditë ekzaminimesh mjekësore te Interi, me vëmendjen e tifozëve jo vetëm të fokusuar tek rikthimi i madh i Romelu Lukakut. Mëngjesin e sotëm, në fakt, në Humanitas ka mbërritur edhe Kristjan Asllani, i cili iu nënshtrua ekzaminimeve të zakonshme mjekësore para nënshkrimit të kontratës me zikltërit.

Mesfushori shqiptar, i cili vjen te Interi nga Empoli për 14 milionë euro plus dy bonuse, iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore mëngjesin e sotëm dhe më pas shkoi në Viale della Liberazione për të nënshkruar kontratën që do ta lidhte me klubin milanez. Të pranishëm para strukturës kanë qenë edhe disa tifozë, të cilët përveçse kanë mirëpritur Lukakun i kanë kushtuar shumë vëmendje edhe ish-mesfushorit të Empolit.

Asllani në sezonin e tij të parë në Serie A vitin e kaluar u shpreh i lumtur dhe entuziast për aventurën e re dhe mbi të gjitha u mirëprit nga tifozët të cilët e ngarkuan menjëherë me përgjegjësi. “Shëno në derbi” i tha një prej të pranishmëve, ndërsa mesfushori kuqezi buzëqeshi  duke hyrë në ambjentet e përcaktuara për të nisur vizitat.

Tifozët e pranishëm në Humanitas sigurisht që nuk e kanë harruar atë gol që Asllani shënoi më 6 maj, duke i dhënë Empolit një 0-2 të momentit në San Siro kundër Interit. Mesfushori mposhti Handanovic me një diagonale perfekte. “Çfarë goli na shënove”, kujton një tifoz, ndërsa një tjetër ka nënvizuar megjithatë se rezultati përfundimtar ishte një buzëqeshje për zikaltërit.