Klevis Dalipi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Korabit, që merr pjesë në Kategorinë e Parë, Grupi A. Është vetë trajneri elbasanas që ka njoftuar vendimin nëpërmjet rrjeteve sociale, duke theksuar se dëshiron ti përkushtohet një tjetër sfide profesionale.
Njoftimi i Dalipit:
“Të nderuar miq, bashkëpuntorë dhe sportdashës dibran!
Për gati 1 viti kam qenë në krye të klubit futbollistik "Korabi" si trajner i ekipit, dhe mendoj se besimin e dhënë e kam shpërblyer me punë dhe përkushtim maksimal në drejtimin e konsolidimin e kësaj skuadre që premton shumë në të ardhmen.
Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojëtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara.
Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i "Korabit" për një sfidë tjetër profesionale...
Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me "Korabin".
Jam i bindur që kjo skuadër që kemi ndërtuar: kompakte, ambicioze, me energji të reja, si dhe me suportin e nevojshëm financiar, do të shkojë aty ku e meriton.
Duke shpresuar në mirëkuptimin e këtij vendimi, gjej rastin të falenderoj jashtë mase për besimin dhe mbështetjen e pakursyer si për mua si trajner, ashtu edhe për të gjithë klubin futbollistik "Korabi", presidentin e ekipit dhe njëherazi Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj., administratorin Z. Meziu.
Njëkohësisht shpreh falenderimet e mia për bashkëpunimin korrekt dhe respektin karshi meje, stafin, lojëtarët, si dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë dibrane për mbështetjen e jashtëzakonshme morale që i dhurojnë skuadrës në çdo ndeshje.
Faleminderit dhe Suksese më tej "Korab"! “