RTSH Sport Live

Klevis Dalipi, trajneri i ri i Lushnjës

  • 07/01/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Klevis Dalipi, trajneri i ri i Lushnjës
Elbasanasi është tekniku i katërt i verdhejeshilëve në këtë sezon të vështirë për ta

Klevis Dalipi është trajneri i ri i Lushnjës, ndërsa prezantimi i tij është bërë të premten në mesditë. Ai është përzgjedhur për të nxjerrë Lushnjen nga vështirësia ku ndodhet në Kategorinë e Parë, ndërsa është trajneri i katërt që vjen në krye të verdhejeshilëve këtë sezon. Në prezantimin e tij ka qenë edhe kryebashkiakja Eriselda Sefa, e cila është njëkohësisht dhe presidente e klubit të futbollit.

"Ne shpresojmë, por dhe jemi të bindur që me Klevisin do të kemi një ringritje të ekipit, që jo vetëm të mos rrezikojmë rënien nga Kategoria, por dhe të kemi dhe një ekip që, ashtu sikurse kemi dashur që në fillim të sezonit të ishte, apo dhe ashtu sikurse e duan sportdashësit e Lushnjës të jetë në nivele të larta. Unë kam një falënderim shumë të madh për Hasallën, i cili ka mbajtur një ngarkesë këtë periudhë duke qenë ai në krye të pankinës", ka thënë kryebashkiakja Sefa.

Për trajnerin Klevis Dalipi është privilegj drejtimi i një skuadres si Lushnja

"Mendoj që situata, ashtu sikurse ne e dimë, është e vështirë. Megjithatë unë jam një njeri i sfidave dhe më pëlqen që kur bëhet fjalë për skuadra tradite, siç është Lushnja është privilegj ta drejtosh, të punosh me këtë skuadër dhe në këtë qytet që është dashamirës dhe e mbështet skuadrën. Jo më kot e citova që dhe ju jeni një person që i keni qëndruar gjithmonë pranë skuadrës", shprehet Dalipi. 

Lushnja ka dy objektiva mbijetesa fillimisht, edhe më pas renditja në pozicionet e larta, pse jo duke shpresuar të zërë dhe një vend në Play-off për në Superiore. Një pune e vështirë për Dalipin, që nis më 28 janar me rikthimin e kampionatit në Kategorinë e Parë.