RTSH Sport Live

KOKSH-FSHF, Arbitrazhi Sportiv e mban pezull

  • 20/05/2021
  • |
  • Të tjera
KOKSH-FSHF, Arbitrazhi Sportiv e mban pezull
 CAS-i i Lozanës pret mbylljen e procesit në Gjykatën e Tiranës para se të vijojë me shqyrtimin

Përplasja midis Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatës Shqiptare (FSHF), e cila ka mbërritur në dyert e Gjykatës së Arbitrazhit Sportin (CAS), tanimë ka marrë një kthesë tjetër. Siç dihet organizmi që qeveris futbollin shqiptar e ka paditur KOKSH-in në CAS-in e Lozanës, sa i përket ligjshmërisë së mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, të mbajtur më 17 prill, nga ku dolën edhe organet e reja drejtuese të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në vend.

Kjo Asamble i dha fund një periudhe të turbullt disavjeçare në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, që kishte vuajtur përplasje të brendshme të njëpasnjë-shme, duke zgjedhur si president të saj Z. Fidel Ylli, dhe Komitetin e ri Ekzekutiv. Por Federata Shqiptare e Futbollit nuk pati të drejtë vote në këtë Asamble, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisioni i Verifikimit dhe Etikës, të ngritur nga një Asamble e mëparshme e Jashtëzakonshme e KOKSH-it.

Kjo bëri që FSHF-ja ta bojkote këtë Asamble, duke vijuar ta çojë ligjshmërinë e saj në Gjykatën e Arbitrazhit Sportin (CAS). Dhe RTSH Sport ka siguruar dokumentin e ardhur nga CAS-i, që sqaron se i gjithë ky proces gjyqësor ka mbetur pezull. Kjo për arsye se Arbitrazhi Sportiv kërkon që fillimisht të mbyllen procesi gjyqësor midis FSHF-së dhe KOKSH-it, i cili vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës.

Siç dihet, FSHF pati kërkuar në dhjetor pezullimin dhe shpalljen të pavlefshme të çdo Asambleje të Jashtëzakonshme të mbajtur nga KOKSH-i dhe kjo çështje nuk është mbyllur ende. Për këtë arsye, CAS-i do të presë zgjidhjen e kësaj çështjeje në gjykatën vendore, pra, atë të Tiranës, për të marrë më pas në shqyrtimin vlefshmërinë e kërkesës së Federatës Shqiptare e Futbollit për ligshmërinë e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, të mbajtur më 17 prill, dhe organeve të reja drejtuese të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në vend që dolën nga kjo Asamble.