RTSH Sport Live

KOKSH, inagurohen zyrat e reja

  • 12/06/2022
  • |
  • Të tjera
KOKSH, inagurohen zyrat e reja
Thomas Bach dhe Edi Rama vlerësojnë lëvizjen olimpike dhe sportin në shkolla

Inaugurimi i zyrave të reja të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që janë ndërtuar me fondet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në një shumë prej 60.000 eurosh, ka sjellë për herë të parë në Tiranë presidentin e CIO-s, Tomas Bah. I shoqëruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, apo dhe ministra, Tomas Bah ka bërë dhe prerjen e shiritit të zyrave të reja të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar. E menjëherë pas kësaj, Tomas Bah nuk ka munguar të vlerësojë bashkëpunimin me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe presidentin Fidel Ylli.

 “Është një kënaqësi e madhe të jem në Shqipëri. Jemi shumë të emocionuar të shikojmë progresin që po bën sporti në Shqipëri në krahasim me të shkuarën. Jemi besimplotë se shqiptarët mund të kenë përpara një të ardhme të ndritur. Shumë respekt për përgjegjësinë mes qeverisë dhe kryeministrit për sportin. Jam i lumtur të jem këtu dhe të shoh sportin në Shqipëri të ecë në këtë mënyrë, por mbi të gjitha dhe për mënyrën se si po drejtohet Komiteti Olimpik nga Fidel Ylli”

Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, jo vetëm që e ka cilësuar të rëndësishme vizitën e presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, por rithemelimi i lëvizjes olimpike në shkolla do të thotë më shumë të rinj që merren me sport.

“Dua të nënvizoj se në bashkëpunim me Komitetin olimpik Shqiptar, qeveria do të mbështesë në vijimësi rritjen e kësaj lëvizjeje, krijimin e klasave dhe skuadrave sportive në të gjitha shkollat e vendit, krijimin e kampionateve në nivel bashkie, në nivel qarku dhe në nivel kombëtar, si dhe fuqizimin dhe shtrirjen në mënyrë të vazhdueshme të rrjeteve sportive në të gjithë territorin, për të bërë dhe lidhjen pastaj mes lëvizjes olimpike në shkolla dhe atyre që do të vazhdojnë të merren me sport në nivel profesionist”.

E më pas sportistë të rinj dhe nxënës shkollash kanë performuar në sallën olimpike në Ditën Olimpike, e cila është zhvilluar në kuadrin e vizitës së presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.