Pas Hungarisë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar të mërkurën në mesditë ka nënshkruar një tjetër marrëveshje bashkëpunimi. Bëhet fjalë për marrëveshjen e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Sri Lankës, që është firmosur nga presidentët Fidel Ylli dhe Surendran Subramaniam. Për të parin e olimpizmit shqiptar janë disa disiplina sportive në të cilat Shqipëria mund të marrë eksperiencë nga Sri Lanka
“Ne sot kërkojmë të firmosim një bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Sri Lankës në disa fusha. Në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore të gjithë punonjësve të Komitetit Olimpik, në fushën e menaxhimit të projekteve të ndryshme përsa i përket infrastrukturës sportive”, ka deklaruar Ylli.
Por çfarë impakti mund të ketë në vend kjo marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Sri Lankës?
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur me pritjen. Ne jemi të dy vende të vogla dhe sigurisht që nga marrëveshje të tilla mund të përfitohet shumë në eksperiencë. Pasi vetëm kështu mund të eci sporti në të dy vendet dhe të rritet në nivel. Unë mendoj që kjo marrëveshje nuk ka për të mbetur në letër, por do të eci përpara”.
E për Yllin, çdo marrëveshje është shumë e rëndësishme duke mos mbetur vetëm në disiplinat sportive olimpike, por dhe më tej.
“Çdo marrëveshje, me çdo llojë vendi ne na ndihmon, në fundit edhe shkëmbimi I eksperiencave, pasi ata kanë më shumë se ne, pasi kanë marrë medalje në “Sidnej 2000” në disiplinën 200 metra për femra, sportin e kanë më të zhvilluar se ne”.
E i pranishëm ishte dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, i cili është i gatshëm për aktivitete të përbashkëta me Sri Lankën, sepse Subramaniam është zëvendëspresident i Federatës së Tenisit.
“Ky nuk është kontakti I parë. Duke ditur rëndësinë se janë dhe shpesh kandidatë për drejtimin e Federatës Botërore të Tenisit, të kemi mundësinë dhe hapësira për të këmbyer, qoftë dhe mundësira për bazë material, apo dërgimin e tenistëve, apo dhe ata të sjellin tenistët e tyre këtu”.
E ndërkohë janë shkëmbyer dhuratat mes Yllit dhe Subramaniam, ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik të Sri Lankës është pritur nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.