RTSH Sport Live

Kombëtaret U18 dhe U18, miqësore me Italinë

  • 04/07/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtaret U18 dhe U18, miqësore me Italinë
Për të dytin vit radhazi, ekipet kombëtare të moshave do të zhvillojnë dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht

Kombëtaret kuqezi të moshave, U18 dhe U19, sipas një njoftimi të FSHF-së do të zhvillojnë dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht. Sipas Departamentit të Komunikimit në FSHF sfidat do të zhvillohen në Itali më 10 dhe 11 gusht, ndërsa grumbullimi i kuqezinjve do të nisë që në 6 gusht në Koverçano. Kujtojmë që U18 drejtohet nga Ardi Behari, ndërsa U19 nga Armando Cungu.

Njoftimi i FSHF-së:

Për të dytin vit radhazi, ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, U-18 dhe U-19 do të zhvillojnë dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy institucionet e futbollit kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy sfidave miqësore në Itali në datën 11 gusht, teksa edhe grumbullimi i ekipeve tona kombëtare do të bëhet në Koverçano që prej datës 6 gusht.

Fillimisht do të jetë Shqipëria U-18, e drejtuar nga Ardi Behari që do të zbresë në fushë, me kuqezinjtë që do të sfidojnë bashkëmoshatarët italianë më 10 gusht në miqësoren e luksit që do të nisë në ora 18:30 në Koverçano, ndërsa një ditë më pas, do të jetë skuadra e drejtuar nga Armando Cungu që do të masë forcat ndaj Italisë U-19, me sfidën që do të nisë në ora 10:30.

Të dy trajnerët dhe stafet e ekipeve kombëtare U-18 dhe U-19 kanë mundësinë të testojnë futbollistët që do të ftojnë në këto dy ndeshje të rëndësishme ndaj një kundërshtari prestigjioz si Italia.

Kjo është një mundësi shumë e mirë kryesisht për Kombëtaren U-19 dhe stafin e këtij ekipi për të kolauduar grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023, ku kuqezinjtë janë shortuar në grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Këto ndeshje do të luhen në Belgjikë në muajin shtator, në datat 21 dhe 24 shtator.

Shqipëria U-19 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e miqësore përgjatë këtij viti, teksa edhe ekipi i drejtuar nga Ardi Behari ka zbritur disa herë në fushë nga muaji janar i vitit 2022, duke testuar disa dhjetëra lojtarë që aktivizohen brenda e jashtë vendit.