RTSH Sport Live

Kombëtarja e 19-vjeçareve mbërrin në Andorrë

  • 18/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja e 19-vjeçareve mbërrin në Andorrë
Vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Krepi, përballen me Moldavinë, Andorrën dhe Uellsin

Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra po vijon përgatitjet në kuadër të Kampionatit Evropian 2022 për këtë grupmoshë teksa të dielën në mbrëmje vajzat kuqezi kanë mbërritur në Andorra, vendi pritës ku do të zhvillohen ndeshjet e këtij turneu. Ditën e hënë, skuadra e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi, i sapoemëruar në stolin kuqezi ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në Andorra në prag të ndeshjes me Moldavinë. Krepi ka pasur në dispozicion të gjithë grupin kuqezi të vajzave, të cilat kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore.

Futbollistet shqiptare kanë zhvilluar më shumë ushtrime me topin, reagimet si dhe janë fokusuar më shumë te pjesa taktike, teksa për momentin, bëhet me dije se nuk ka asnjë problem fizik në grupin e vajzave të grumbulluara për këto ndeshje. Përpara nisjes për Andorra, i gjithë ekipi i është nënshtruar testeve anti-Covid-19, ku kanë rezultuar të gjitha negative, duke qenë kështu gati për këtë turne. Shqipëria gjendet në grupin 3 të Ligës B, ku shorti e ka vënë së bashku me Moldavinë, Andorrën dhe Uellsin.

Vajzat kuqezi do të zhvillojnë ndeshjen e parë nesër, kundër Moldavisë, duke nisur nga ora 12:00, ndërsa me datë 22 do të luajnë ndaj Andorrës. Ndeshja e tretë dhe e fundit do të jetë kundër Uellsit më 25 tetor. Kombëtarja shqiptare është pjesë e Ligës B, teksa do të tentojë ngjitjen në Ligën A, në rast se renditet e para në grupin 3.