RTSH Sport Live

Kombëtarja e femrave, fitore me pesë yje

  • 21/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja e femrave, fitore me pesë yje
Vajzat kuqezi kanë arritur një fitore 5-0 përballë Armenisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit

Shqipëria në futboll për femra, jo vetëm që ka arritur fitoren e parë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”, por ka realizuar suksesin e saj më të thellë në të gjitha pjesëmarrjet ndërkombëtare. 5-0 ndaj Armenisë, ndërsa Megi Doçi e Mimoza Hamidi janë protagonistet e suksesit në Arenën Kombëtare pasditen e së enjtes. Në fakt, starti i kuqezinjve është i ngurtë, ndërsa në të 3’ Vermilion rrezikon në një goditje dënimi prej rreth 30 metrash, por për fatin tonë të mirë gjithçka mbi.

Dhe Shqipëria merr iniciativën. Menjëherë në pozicion gjuajtje vihet Maksuti përballë Klimovës, por finalizon dobët. Në të 10’ vjen aksioni më i rrezikshëm, kjo pas kombinimit Maksuti-Hamidi, por gjithçka është zgjidhur nga Klimova. E pas dy minutash, Shqipëria e sheh veten në avantazh. Gjithçka lind nga një goditje dënimi, e cila ka për protagoniste Megi Doçin, që në pozicion diagonal me portën armene, nga rreth 20-22 metra, e ka dërguar topin në krahun e majtë të Klimovës.

Pas katër minutash përsëri Doçi është protagoniste me atë shpërthim nga e majta dhe atë krosim të saktë, që Hamidi e kthen në gol. E pjesa e parë, kjo pas dy momenteve të humbura nga Hamidi në të 21’ dhe në të 26’, fikson dhe golin e tretë përsëri me autore Megi Doçin. Në pjesën e dytë, në të 61’ përsëri shërben Doçi dhe finalizon Hamidi. E goli i pestë, i ardhur në të 90’ me autore Lufon, fikson shifrat 5-0. Një fitore e bukur dhe spektakolare, që jep shpresë për ndeshjen e së martës ndaj Polonisë.