RTSH Sport Live

Kombëtarja, me mungesa në San Marino

  • 29/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja, me mungesa në San Marino
Kuqezinjtë për ndeshjen e tretë, pa Gjasulën dhe Kumbullën, në dyshim Kamberi e Roshi

Ka pësuar sërish ndryshime lista e Kombëtares kuqezi në prag të përballjes së 31 marsit me San Marinon. Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur se Klaus Gjasula është larguar që të hënën drejt klubit të tij, pasi është i skualifikuar për shkak të kartonëve dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 3-të të Shqipërisë.

Ai u ndëshkua me karton të verdhë si në fitoren minimale me Andorrën, ashtu edhe në humbjen 0-2 me Anglinë. Ndërkaq, probleme fizike për Florian Kamberin dhe Odise Roshin, me mesfushorin që është në dyshim për sfidën e San Marinos dhe mbetet ende për t’u verifikuar gjendja e tij, kurse sulmuesi do të mungojë pasi nuk rikuperohet për ndeshjen.

Po kështu mungon edhe mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili e ka mbyllur sezonin për shkak të dëmtimit në ndeshjen me Andorrën. Sa u përket përgatitjeve për ndeshjen e 3-të në Grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar paraditen së hënës një seancë të lehtë stërvitore në kompleksin “Tropikal”. Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Anglisë bënë vetëm ushtrime shkrythëse.

Ndërsa ato që qëndruan në stol një seancë më të plotë. Pas drekës delegacioni kuqezi u nis për në San Marino, ku të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e tretë për eliminatoret e Botërorit 2022. Kuqezinjtë kanë mbërritur në orët e pasdites në San Marino, atje ku, duke nisur nga ora 18:00 ishte planifikuar të zhvillohej një seancë stërvitore, por që nuk u zhvillua. Për ndeshjen e 3-të do të ketë disa ndryshime në organikë për skuadrën e trajnerit Edoardo Reja.