RTSH Sport Live

Kombëtarja, në sfidën e dyfishtë të fundjavës

  • 06/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kombëtarja, në sfidën e dyfishtë të fundjavës
Kuqezinjtë e Melkës ndeshen dy herë me boshnjakët, të dy sfidat në RTSH

Kombëtarja kuqezi të volejbollit të meshkujve vijon pjesëmarrjen e saj në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, aty ku shorti e ka vendosur në grupin G dhe përballë do të ketë Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Zvicrën. Dhe kjo pjesëmarrje ka nisur me një humbje në 3 sete të mërkurën teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Jani Melka, është mundur 0-3 në përballjen e parë në Rumani përballë përfaqësueses vendase, teksa ndeshja është luajtur në Sallën Sportive në Galatsi. Kurse në takimin tjetër të grupit, Zvicra ka fituar 3-1 në Bosnjë-Hercegovinë ndaj përfaqësueses vendase.

Ndërkaq, aventura e kuqezinjve në këtë grup do të vijojë me sfidën e dyfishtë me Bosnjë-Hercegovinën, teksa të dyja ndeshjet është rënë dakord që të luhen në kryeqytetin shqiptar, në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë. Më 6 gusht do të luhet përballja e parë, ku boshnjakët janë pritës, ndërsa 24 orë më vonë ajo e dytë, ku Shqipëria është pritëse. Të dyja këto ndeshje do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, përkatësisht të shtunën dhe të dielën, duke nisur nga ora 19:00.

Ashtu si me Rumaninë, edhe me Bosnjë-Hercegovinën Shqipëria u përball edhe në fazën e grupeve të Ligës së Argjendtë të Evropës dhe Kombëtarja u mund 2-3 në fushë të huaj, duke fituar 3-0 në fushën e vet.  Më pas, në datat 10 dhe 13 gusht, skuadra e Melkës do të ndeshet me Zvicrën, me takimin e parë që luhet në fushë të huaj e me atë të kthimit në Tiranë. Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen e saj në grupin G me ndeshjen me Rumaninë, që do të luhet në Tiranë më 20 gusht 2022.