RTSH Sport Live

Kombëtarja nis sot rrugëtimin në eliminatore

  • 03/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kombëtarja nis sot rrugëtimin në eliminatore
Kuqezinjtë e Melkës, në Rumani për ndeshjen e parë të Grupit G, që nis në ora 16:00

Kombëtarja kuqezi e volejbollit të meshkujve nis sot pjesëmarrjen e saj në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, aty ku shorti e ka vendosur në grupin G dhe përballë do të ketë Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Zvicrën. Dhe rrugëtimi i skuadrës së drejtuar nga trajneri Jani Melka, nis pikërisht me përballjen e parë në Rumani përballë përfaqësueses vendase. Ndeshja, që do të luhet në Sallën Sportive në Galatsi, duke nisur nga ora 16:00, me orën e Tiranës, është e para e këtij grupi, teksa në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:00, luhet në Tuzla përballja tjetër, ajo midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Zvicrës.

Me Rumaninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, Shqipëria u përball edhe në fazën e grupeve të Ligës së Argjendtë të Evropës. Me rumunët, kuqezinjtë u mundën si në Tiranë, 1-3, ashtu edhe në fushë të huaj, 0-3, ndërsa me boshnjakët, Kombëtarja u mund 2-3 në fushë të huaj, duke fituar 3-0 në fushën e vet. Ndërkaq, aventura e kuqezinjve në këtë grup do të vijojë me sfidën e dyfishtë me Bosnjë-Hercegovinën, teksa të dyja ndeshjet është rënë dakord që të luhen në kryeqytetin shqiptar, në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë.

Më 6 gusht do të luhet përballja e parë, ku boshnjakët janë pritës, ndërsa 24 orë më vonë ajo e dytë, ku Shqipëria është pritëse. Më pas, në datat 10 dhe 13 gusht, skuadra e Melkës do të ndeshet me Zvicrën, me takimin e parë që luhet në fushë të huaj e me atë të kthimit në Tiranë. Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen e saj në grupin G me ndeshjen me Rumaninë, që do të luhet në Tiranë më 20 gusht 2022.